Liceu Artistik “Jordan Misja”, e para shkollë artistike në historinë e arsimit shqiptar, ka mbushur 65 vjet. Festimet e këtij viti jubile u mbyllën me një mbrëmje Gala, që u zhvillua në Teatrin e Operas dhe Baletit




Gjithçka nisi në vjeshtën e vitit 1946. Shkolla u përurua në një nga ditët e tetorit në kuadër të ‘Javës kulturore’. Përgjithësisht ajo njihet me emrin Liceu Artistik “Jordan Misja”, i cili këtë vit mbushi plot 65 vite. Që në krye të herës, Liceu u konceptua si një shkollë artistike kombëtare, i cili do të shërbente (dhe vazhdon të mbajë këtë status) si qendra kryesore e edukimit artistik të talenteve të reja nga mbarë Shqipëria. Nga bankat e kësaj shkolle kanë marrë njohuritë e para mbi artin ata që sot janë shtyllat kryesore të jetës sonë artistike, një pjesë prej tyre, falë talentit dhe edukimit profesional, arritën të ngjiteshin edhe në skenat më prestigjioze botërore, si Inva Mula, Ermonela Jaho, Tedi Papavrami e shumë e shumë të tjerë. E ky rrugëtim 65-vjeçar nuk ka kaluar indiferent tek drejtuesit e kësaj shkolle, që si vit jubile e festuan me një sërë aktivitetesh artistike. Aktiviteti përmbyllës ishte dhe mbrëmja Gala që u zhvillua në Teatrin e Operas dhe Baletit. Një mbrëmje që nuk kish sesi të mos përshkohej nga emocionet teksa ish-nxënës të këtij liceu, sot figura të shquara të artit shqiptar, ngjiteshin në skenën e madhe të Teatrit të Operas dhe Baletit për të sjellë kujtimet e tyre, por edhe për të interpretuar bashkë me nxënësit e kësaj shkolle pjesë klasike të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj, nën udhëheqjen artistike të nëndrejtoreshës së kësaj shkolle, Klodi Zheji. “Ky koncert i vitit jubile të 65-vjetorit të krijimit të Liceut Artistik mbyll vazhdën e të gjitha aktiviteteve të organizuara nga shkolla jonë këtë vit, të pasuara me koncerte simfonike dhe me shumë ekspozita të artit figurativ. Figura të njohura që kanë kontribuar në pasurimin e kësaj trashëgimie kulturore, si Eno Koço, Edit Mihali, Zhani Ciko, por dhe prezantuesi Ardit Gjebrea, një ish-nxënës i këtij liceu, iu bashkuan festës sonë”, - u shpreh udhëheqësja artistike e këtij eventi, Klodi Zheji. Në mënyrë simbolike ky koncert Gala ishte rrëfimtari i atij zinxhiri të gjatë 65-vjeçar të shkollës artistike “Jordan Misja”. Pjesë e programit ishin dhe interpretimet e Anila Krajës, Fatma Spahiut, Diana Ziut, Shpëtim Kushtës, Nora Çashkut, Eno Koços etj. Ndërsa për drejtoreshën e Liceut Artistik, Albana Kosovrasti, pesha e përgjegjësisë është e madhe, sidomos në këtë vit jubile. Një shkollë më e rritur dhe më e konsoliduar që vazhdon sipas saj të formojë talente.


Këtë vit, Liceu Artistik “Jordan Misja” festoi 65-vjetorin e krijimit, një “moshë” që tejkalon edhe atë të Akademisë së Arteve...


Liceu Artistik është e para shkollë artistike në historinë e arsimit shqiptar. Është një shkollë kombëtare tepër e veçantë dhe me vlera. Nga kjo shkollë kanë dalë pjesa më e madhe e artistëve shqiptarë, brezat e parë të pedagogëve, duke filluar që nga Marie Kraja, Tefta Tashko Koço, për të vazhduar me Inva Mulën, Klodiana Skënderin, Tedi Papavramin, Ermonela Jahon e shumë e shumë të tjerë. Të drejtosh një shkollë që mbart kaq shumë vlera është shumë e vështirë, por njëkohësisht dhe një obligim i madh. Ndërkohë që këto 65 vite janë një histori shumë e lavdishme dhe ky lice bart burimin që ka furnizuar edhe Akademinë e Arteve, e cila këtë vit mbushi në mos gaboj 50 vjet.


Si vjen në këtë 65-vjetor Liceu Artistik?


Vjen më i rritur, më i formuar, më i konsoliduar. Ndërkohë që ka interesim për këtë shkollë, nga ana tjetër vazhdon edhe historia e talenteve, ku një prej tyre është edhe pianisti Kostandin Koço; ai është vetëm në klasën e tetë dhe interpreton pjesë që janë shumë të vështira edhe për në Akademi. Liceu është një shkollë që ecën mbi një histori, mbi një rrugë tashmë të shtruar dhe ne vazhdojmë të ecim në ato gjurmë të lavdishme.


Pra vazhdon të prodhojë talente kjo shkollë?


Sigurisht që kjo shkollë ka shumë talente. Vetëm vjet fituan të drejtën për të vazhduar studimet e larta rreth 13 nxënës, të cilët arritën të fitonin në akademitë më të njohura në botë, si në Gjermani dhe në Londër. Krahas talenteve tona, janë pedagogët ata që meritojnë një mirënjohje që sot janë emra të mirënjohur të muzikës shqiptare, duke filluar që nga Nora Çashku, një ish-nxënëse e Liceut Artistik, që ka dhënë kontribut në rritjen e brezave të tërë artistësh, por edhe Eno Koço, sopranoja Edit Mihali, Zhani Ciko, i cili edhe sot vazhdon të kontribuojë duke drejtuar orkestrën e Liceut Artistik.


Festimet për këtë përvjetor kanë nisur qysh në fillim të këtij viti. Cili ka qenë kalendari i aktiviteteve që u zhvilluan, që u përmbyll me këtë mbrëmje Gala?


Qysh në fillim e konceptuam 65-vjetorin si një mirënjohje ndaj mundit dhe kontributit që është dhënë në formimin e brezave të artistëve në këtë lice. E filluam me dy koncerte që u dhanë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Një ekspozitë e nxënësve maturantë u hap në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, por dhe shumë të tjera në mjediset e shkollës. E gjithë kjo pasoi me koncerte recitale të nxënësve më të talentuar si në Akademinë e Arteve, ashtu edhe në mjediset e Ministrisë së Kulturës. Organizuam koncerte të përbashkëta me Liceun Artistik të Shkodrës, Durrësit dhe Elbasanit, si një ballafaqim vlerash mes shkollave artistike. Nëntori ka qenë padyshim muaji më i ngarkuar me aktivitete. Me nxënësit e kësaj shkolle zhvilluam koncerte edhe në Kosovë, ku u pritëm vërtet shumë mirë. Gjithashtu kemi zhvilluar takime dhe biseda me ish-nxënës të kësaj shkolle, të cilët sot janë artistë që duartrokiten në skenat më prestigjioze të botës, siç ishte takimi që u zhvillua me sopranon Ermonela Jaho, e cila në pamundësi për të qenë në këtë mbrëmje Gala zhvilloi një bisedë me nxënësit dhe pedagogët e liceut, ku rrëfeu rrugën e vështirë por të bukur të artit.