Futbollistët e Ferizajt kanë shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Trepçën, në kuadër të javës së 23-të në Raiffeisen Superligë. Ndeshja e zhvilluar, të premten, në stadiumin ‘Ismet Shabani’ në Ferizaj, është mbyllur me rezultat 1:0. Kësisoj, Ferizaj është rikthyer te fitorja, pasi javën e kaluar pësoi humbje në Skenderaj kundër Feronikelit.
Ferizajasit dominuan në pjesën më të madhe të ndeshjes dhe krijuan disa raste të mira, por golin e fitores e arritën në minutën e 30-të, kur Enis Kuka e shfrytëzoi si duhet shërbimin e Vokshit.
Pas kësaj fitoreje Ferizaj së paku përkohësisht ngjitet në pozitën e dytë, me 38 pikë, derisa ‘xehetarët’ mbesin në mesin e skuadrave më të rrezikuara, me 25 pikë./FFK/Indeksonline/