Kukësi është shkatërruar mbrëmjen e sotme nga Torpedo Kutaisi me rezultatin e thellë 5-2, në takimin e parë të vlefshëm për fazën e tretë kualifikuese të UEFA Europa League. Pas një vigjilje mbushur me polemika, mes pretendimeve të verilindorëve për sabotazh nga ana e gjerogjianëve dhe alibive e kundrasulmeve të Torpedos, gjithçka ka përfunduar me triumfin e vendasve, të cilët kanë vulosur fatin e ndeshjes që në fillim të takimit.


Vendasit kanë kaluar në avantazh që në minutën e dytë, për ta mbyllur pjesën e parë me epërsinë e tre golave, në një rezultat të sigluar në shifrat 4-1, me Harba që në të 22 shënoi golin e vetëm për nënkampionët e Shqipërisë në fraksionin e parë të lojës.


Në pjesën e dytë, Torpedo Kutaisi është mjaftuar me vetëm një gol më shumë, të shënuar në të 86. Ndërkohë, Kukësi ka zbutur diferencat vetëm dy minuta më vonë, me Plakun që në të 88 ka shndërruar në gol një 11-metërsh të akorduar në favor të verilindorëve, për të vulosur rezultatin përfundimtar në shifrat 5-2.


Një rezultat ky që gati zyrtarizon lamtumirën e ekipit shqiptar nga UEFA Europa League, ndonëse gjithçka do të finalizohet një javë më pas në Shqipëri.


9 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)