Muzikë tradicionale vendase, por edhe flamengo spanjolle e ritme afrikane. Për të pestin vit me radhë, Shkodra hapi mbrëmë edicionin e radhës të festivalit ndërkombëtar “Shkodra Jazz Festival” kushtuar kujtimit të muzikantit të madh shkodran, violinistit Rrok Jakaj. Sipas njërit prej organizatorëve të festivalit, Altin Raxhimi, pesë vite më parë ky festival dukej një utopi, ndërsa sot është një nxitje e vërtetë për qytetin dhe një pikëtakimi për muzikantë nga Ballkani e më gjerë. Florian Jakaj, një tjetër organizator, thotë se gjatë gjashtë ditëve të aktivitetit do të performojnë muzikantë të njohur të skenës botërore të muzikës jazz. Kështu, rrugëve dhe skenave të qytetit nën këmbët e Rozafës rikthehet pas sukseseve të edicioneve të mëparshme, artisti italian Diego Borotti, i vlerësuar si njëri prej pjesëmarrësve më të rëndësishëm të panoramës jazz së shtetit fqinj. Rikthim i rëndësishëm është edhe ai i “The Dream Trio”, kompleksit të drejtuar nga virtuozi shqiptar Sokol Prekalori, pjesë e të cilit ka qenë edhe Rrok Jakaj. Artdashësit shkodranë si edhe të gjithë ata që do të kenë fatin të ndodhen në Shkodër gjatë kësaj jave, do të kenë mundësinë këtë vit të shijojnë muzikën jazz të ekzekutuar nga artistë të afirmuar të skenës botërore, si grupi jazz “Alberto Mandarini Quartet”, por edhe nga talente të reja që po afirmohen në skenën ndërkombëtare, si pianisti e kompozitori shkodran Robert Bisha, i cili ndërthur muzikën tradicionale shkodrane me muzikën klasike bashkëkohore dhe ritmet jazz. Ndërthurje të jazz-it me flamenkon spanjolle sjell Javier Galiana dhe grupi “Spice Berberechos” (“Midhjet pikante”). Ritmet afro-braziliane vijnë përmes performancës së Roberto Taufic Hasbun dhe Simon Papa. Sipas organizatorëve, i gjithë qyteti i Shkodrës do të jetë i përfshirë në këtë festival. Artistët e pranishëm do të performojnë në skenën e Teatrit “Migjeni”, në lokale, por edhe në rrugë, ku mund të ndiqen nga një publik edhe më i gjerë. Qendër e këtij aktiviteti do të jetë rruga muzeale “Kolë Idromeno”. Sipas Florian Jakajt, artistët e përfshirë në këtë projekt do të vihen në shërbim të brezit të ri, të muzikantëve shkodranë, që po formohen në shkollën e muzikës së qytetit, duke dhënë mësime jazi, por edhe për një kategori të veçantë fëmijësh, për fëmijët e braktisur, të cilët në këtë mënyrë do mund të marrin pak vëmendje dhe dashuri, të ndihen në qendër të vëmendjes. Festa, e cila do të zgjasë gjatë gjithë ditëve të zhvillimit të festivalit, do ta arrijë temperaturën e saj të vërtetë mbrëmjeve, në lokalet shkodrane, ku muzikantët do të interpretojnë çdo natë për publikun e qytetit. Shkodra kulturore “Rrok Jakaj”, në bashkëpunim me “Optional Music International” Jazz Festival është një aktivitet i ideuar dhe organizuar nga shoqata.

Artistët

- Shkodra Sound Corner
- Alberto Mandarini Quartet
- Diego Borotti
- Gigi Biolcati
- Javier Galian & Spice Berberechos
- Robert Bisha
- Roberto Taufic Hasbun & Simon Papa
- Skenderbeg Chamber  Orchestra
- The Dream Trio