Kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj ka pritur në një takim ambasadorin austriak Florian Raunig. Ky i fundit, pasi është njohur me resurset që ka Fieri, ka shprehur kënaqësinë për të dhënë kontribut me investime në këtë qytet. Kryetari Zeqaj e ka njohur ambasadorin me zhvillimin dhe prioritetin që bashkia u jep bizneseve tregtare dhe prodhuese. Pas takimit në zyrën e kryetarit, diplomati ka marrë takim me përfaqësues të  biznesit. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të biznesit austriak, të cilët prezantuan edhe një investim të bërë në Farkë për një fshat turistik, të cilin janë të gatshëm ta ndërtojnë edhe në Fier, nëse do të ketë interesa. Po ashtu, ambasadori u shpreh se vendi i tij do të vijojë mbështetjen për Shqipërinë në kuadër të bashkëpunimit prej shumë vitesh mes dy vendeve.


“Austria është vendi i tretë për nga vëllimi i investimeve në Shqipëri. Edhe në Fier mund të investohet fuqishëm, pasi shoh një klimë të mirë biznesi dhe një qytet të zhvilluar”,-ka vijuar ndër të tjera ambasadori, i cili nuk ka harruar të përgëzoj kryebashkiakun për punën e mirë të deritanishme.


 


Me një shqipe të rrjedhshme, ambasadori austriak u është drejtuar të pranishmeve në sallën e Bashkisë Fier, duke u kujtuar thelbin dhe celsin e suksesit të vendeve të BE-së.


 


“Kompromisi është thelbi i zhvillimeve në strukturat dhe vendet e BE-së dhe këtë duhet të bëj edhe Shqipëria për anëtarësim të shpejtë në BE. Austria ka mbështetur dhe do të mbështesë anëtarësimin në BE të Shqipërisë dhe vendeve  të Ballkanit Perëndimor, por  jeni ju ata që do ta coni përpara procesin”,- tha Raunig. 


 


Vizita e ambasadorit të Austrisë do të ndalej më pas në një ndër bizneset më të suksesshme sot në vend, “ALB STAR “. Aty Raunig, i shoqëruar nga kryebashkiaku Zeqaj, piktori Fate Velaj etj, ka parë nga afër mënyrën e funksionimit të biznesit, ndërsa kanë zhvilluar një takim edhe me drejtuesin e  këtij biznesi, zotin Sadik Ismaili. Më pas ata kanë shkuar në firmën “DRIZA”, edhe kjo një firmë tashmë e njohur në Fier, ku u pritën nga pronari i saj, Hiqmet Driza. Këto biznese, sipas ambasadorit, i përforcuan idenë se Fieri është vendi i potencialit ekonomik, me biznese të fuqishme. Por vizita në plazhin e  Darëzezës ishte “qershia mbi tortë”. Këtu ambasadori u shpreh se plazhe të tilla, të virgjra, janë pasuri për vendin.


 


 


Irena Pepe