Një shtetas grek, ka rrahur nusen e tij dhe ka qëlluar me thikë vjehrrën. Policia e Fierit ka arrestuar Georgios A., 41 vjeç, lindur në Athinë e banues në Libofshë, Fier.


Ai akuzohet se në fshatin Libofshë, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, E.Gorea, 34 vjeçe, dhe ka kanosur e gërvishtur me thikë vjehrrën e tij, Dh.Gorea, 63 vjeçe, në prezencë të fëmijës së tij të mitur.


Mësohet se 41-vjeçari grek prej më se dy vitesh ishte kthyer në vendlindjen e së shoqes, ku dhe jetonte.


Ka qenë një debat i momentit ai që ka shkaktuar acarimin e situatës, deri sa Georgios ka rrëmbyer një thikë në kuzhinë dhe ka kërcënuar vjehrrën, e cila kishte ndërhyrë për të shuar sherrin.


Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprat penale Dhunë në familje dhe Prodhimi mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta.


12 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)