30/04/2009  Rritet me 30 për qind kërkesa për punë. Drejtori i zyrës së punës Kristaq Lena: Jo efektet e krizës


Të papunët janë shkurtuar për shkak të reformave në ARMO, ALBPETROL etj.


Rritet në shifra alarmante papunësia si në qytetin e Fierit, ashtu edhe në rang qarku. Me një popullsi prej 82 mijë banorësh qyteti i Fierit, sipas statistikave, numëron një papunësi prej 12.8%.


Të papunët


Sipas drejtuesit të shërbimit kombëtar të punësimit për rajonin e Fierit, Kristaq Lena, numri i të papunëve punëkërkues shkon në 17830 persona në qarkun Fier, ku pjesën më të madhe apo në 54% e përbëjnë moshat e reja. Sipas statistikave të deritanishme, kriza nuk ka ndikuar në rritjen e papunësisë në këtë qytet, duke qëndruar në të njëjtat kuota dhe në të njëjtat shifra me ato të një viti më parë. Por një numër të konsiderueshëm të papunësh, prej 1200 persona kanë qenë shkak të reformës në sektorin e naftës dhe rritjes së papunësisë. “Numri i të papunëve në Fier, si qark është 17830 persona”, ka thënë Lena. Në këtë shifër përfitojnë pagesë papunësie 339 persona, përfitojnë të tjera 1293 persona, përfitojnë ndihmë ekonomike 6766 persona. Të papunë të tjerë mbetet shifra 9432 persona. Tendenca e të papunëve si shifra ka qenë duke u ulur nga viti në vit, por dalja në asistencë e shumë punonjësve të ndërmarrjeve të sektorit të naftës ALBPETROL dhe ARMO ka bërë që shifra të kalojë në stade të tjera më të rritura. Janë gati 1270 persona të mbetur të papunë pas reformave të institucioneve shtetërore si ARMO, ALBPETROL, ndërmarrja e ujësjellësit, naftës, elektrikut etj si dhe në të gjitha institucionet shtetërore të Fierit. Kjo ka bërë që të rritet ndjeshëm nga viti në vit, numri i të papunëve në Fier. Kjo përkthehet gjithashtu se për zyrën e shërbimit kombëtar të punës në Fier, numri i punëkërkuesve gjithashtu është rritur ndjeshëm në shifrën mbi 20-30% më shumë se një vit më parë. Duke iu referuar shifrave, numrin më të madh të të papunëve në rrethin Fier e përbëjnë gratë dhe 45% të rinjtë. Për Lenën shkak i numrit të madh të të papunëve është edhe mungesa e arsimimit të punëkërkuesve në lidhje me kërkesat në rritje të kohës që jetojmë. “Kjo kategori e punëkërkuesve, ka thënë Lena, është pak e vështirë për të gjetur vende të lira dhe të reja pune sidomos në ndërmarrje, ose sektorë privatë, sepse të gjithë kërkojnë që punëtori të ketë një profesion të caktuar që të marrë në punë, një arsim të kënaqshëm”. Për zbutjen e këtij fenomeni, pra të rritjes së shifrave të të papunëve Drejtoria e Shërbimit kombëtar të Punësimit në Fier ka bërë që vetëm për këtë vit të kryejnë ndërmjetësim në punësimin e 215 personave, ndërkohë që për të ashtuquajturin “Shesh i Omonias” në Fier, drejtuesi i shërbimit kombëtar të punësimit në Fier, Kristaq Lena, është shprehur se kjo kategori nuk i përket të papunëve punëkërkues sepse vijnë nga zonat rurale, të cilët kanë pronë të patundshme.


REFORMAT


Tendenca e të papunëve si shifra ka qenë duke u ulur nga viti në vit, por dalja në asistencë e shumë punonjësve të ndërmarrjeve të sektorit të naftës ALBPETROL dhe ARMO ka bërë që shifra të kalojë në stade të tjera më të rritura. Janë gati 1270 persona të mbetur të papunë pas reformave të institucioneve shtetërore si ARMO, ALBPETROL, ndërmarrja e ujësjellësit, naftës, elektrikut etj si dhe në të gjitha institucionet shtetërore të Fierit. Kjo ka bërë që të rritet ndjeshëm nga viti në vit, numri i të papunëve në Fier. Kjo përkthehet gjithashtu se për zyrën e shërbimit kombëtar të punës në Fier, numri i punëkërkuesve gjithashtu është rritur ndjeshëm në shifrën mbi 20-30% më shumë se një vit më parë. Duke iu referuar shifrave, numrin më të madh të të papunëve në rrethin Fier e përbëjnë gratë dhe 45% të rinjtë. Për Lenën shkak i numrit të madh të të papunëve është edhe mungesa e arsimimit të punëkërkuesve në lidhje me kërkesat në rritje të kohës që jetojmë.


Për zbutjen e këtij fenomeni, pra të rritjes së shifrave të të papunëve Drejtoria e Shërbimit kombëtar të Punësimit në Fier ka bërë që vetëm për këtë vit të kryejnë ndërmjetësim në punësimin e 215 personave


Ndërhyrja e shtetit


Sheshi “Omonia” në mes të Fierit


Në Fier, në sheshin kryesor të saj thuajse përditë mblidhen shumë burra, të cilët janë në pritje të një oferte për një punë ditore apo dhe më gjatë. Ata ofrojnë krah pune kryesisht në zanate si hidraulikë, elktriçistë apo dhe punëtorë në ndërtim. Nga qytetarët shpeshherë quhet dhe me ironi sheshi “Omonia”. “Sheshi i ‘Omonias’ është bërë pak legjendë, thotë drejtuesi i Shërbimit kombëtar të Punësimit në Fier, Kristaq Lena, dhe duket sikur shkojnë aty të papunë punëkërkues nga qyteti. Unë ju them me garanci që nuk ka qytetarë në këtë shesh. “Mendimi im është se atje janë persona që vijnë nga fshati. Vijnë për punët e tyre, që shesin prodhimet e tyre që nga qumështi apo zarzavatet, rrinë atje dhe nëse gjejnë ndonjë punë mirë, nëse nuk gjejnë ikin sërish. Ata janë pronarë të tokave dhe nuk mund të quhen të papunë”. Po sipas Lenës, nuk mungojnë projektet për zbutjen e papunësisë, këtij problemi social gangrenë për qytetin dhe qarkun Fier, por gjithsesi nevojiten fonde nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale për zbatimin e këtyre projekteve. "Nuk janë të pakta rastet, ka thënë Lena, kur ne si zyrë punësimi kemi bashkëpunuar me biznese të ndryshme private për marrjen në punë të fuqisë punëtore, kontingjent nga armata e madhe e të papunëve në Fier. Shumica prej tyre marrin moshat e reja dhe kryesisht gra në sektorë të ndryshëm si rrobaqepësi apo prodhim këpucarie".


TABELA


Fieri papunësia 12.8%.


Numri i të papunëve punëkërkues 17830 persona


54% e të papunëve moshat e reja


Të papunë për shkak të reformave 1270 persona


Përfitojnë pagesë papunësie 339 persona


Përfitojnë ndihmë ekonomike 6766 persona


Të papunë të tjerë 9432 persona.


Numri i punëkërkuesve rritet 20-30% krahasuar me 2008


Numrin më të madh të të papunëve gratë dhe 45% të rinjtë


Punësohen me ndërmjetësim 215 personave