Godet disa herë me thikë një shtetas, policia e Fierit zbardh ngjarjen dhe arreston në flagrancë autorin e dyshuar. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Mbrostar Ferko,  ku është  goditur disa herë me thikë në trup shtetasi E.B, 35 vjeç, banues në lagjen Liri Fier.


Menjëherë pas marrjes së informacionit u organizuan shërbimet e policisë Fier dhe falë veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit Arsen Ferko, 23 vjeç, banues në lagjen Mbrostar Ferko Fier. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale thika me të cilën autori goditi shtetasin me iniciale E.B. Shtetasi i dëmtuar ndodhet në Spitalin Fier nën kujdesin e personelit mjekësor.


Materialet i kaluan Prokurorisë Fier për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.


17 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)