Një marrëveshje trepalëshe do të testojë menaxhimin e banesave me qëllim zgjidhjen e problemeve sociale
FIER- Politikat e reja të strehimit kanë sjellë nënshkrimin e marrëveshjes së parë në këto vite mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Bëhet fjalë për një marrëveshje të nënshkruar mesditën e së shtunës mes Ministrisë së Punëve Publike , Transportit dhe Telekomunikacionit si dhe bashkisë së Fierit. Si palë e tretë në këtë marrëveshje vjen Co-plani. Marrëveshja ka si qëllim testimin në një bllok pallatesh të menaxhimit dhe jetesës në komunitet. Mësohet se do të testohet harxhimi i energjisë me kursim si dhe bashkëjetesa në komunitet.
"Ky është një projekt në vijimësi të projekteve që Co-plan ka pasur me bashkinë e Fierit, por mbi të gjitha, është një projekt që është në funksion të plotë të zbatimit të strategjisë të zhvillimit të qytetit. Ky projekt do të kontribuojë tashmë për futjen e investimeve edhe nëpër blloqet e pallateve të banimit, duke përfituar edhe nga kuadri rregullator i krijuar rishtazi, përmes ligjit të ri të aprovuar në prill të këtij viti për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit, i cili synon të krijojë një situatë që qytetarët të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për përmirësimi ne mjediseve të përbashkëta, por kjo të mos bëhet duke pasur parasysh edhe përmirësimin e eficencës nëpër banesa",- është shprehur Dritan Shutina, drejtor ekzekutiv i Co-planit
Ndërkohë, që kryetari i bashkisë së Fierit në fjalën e tij është përqendruar më shumë tek financuesit e këtij projekti si dhe tek impakti i tij në jetën sociale të vendit.
"Projekti në fjalë është një projekt që financohet nga Komiteti Europian dhe ky është një komponent i rëndësishëm. Bashkëfinancues në këtë projekt është vetë bashkia e Fierit, e cila do të akordojë një fond minimal prej 60 mijë Euro si fillim. Por, në të njëjtën kohë, kjo është arsyeja pse kemi marrëveshje trepalëshe mes Ministrisë së Transporteve, Co-planit dhe bashkisë së Fierit, vetë ministria e shikon këtë projekt si një mundësi shumë të mirë për të testuar ligjin e ri të sapo aprovuar për të parë sesi finalizohet ky ligj në një situatë konkrete dhe për ta përdorur këtë model në nivel kombëtar",- ka thënë kryetari i bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj.
"Sensibiliteti i Ministrisë së Punëve Publike në këtë projekt është maksimal, në kuptimin që ky projekt vjen në një moment komplementar për politikat tona të strehimit. Përveç aktiviteteve që prekin problemet kryesore të menaxhimit të banesave, ky projekt ka një karakteristikë të veçantë për sa i përket partneritetit shumëpalësh. Zgjidhja e probleme sociale është bashkuar në një pikë të përbashkët mes pushtetit vendor e qendror që pritet të shërbejë në të ardhmen edhe në bashki të tjera të vendit", ka thënë përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve Publike. Projekti do të nisë nga zbatimi në fillim të vitit të ardhshëm.