Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncertin tradicional të fundvitit më 23 dhjetor, duke filluar nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Edhe këtë vit si vitin e kaluar, filharmonia do të interpretojë nën dirigjimin e dirigjentit bullgar, Nayden Todorov.

Drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari, bëri të ditur se ky koncert është gjithashtu një ndër mundësitë e rralla për solistët që të përzgjedhin arie të ndryshme klasike të njohura, për t'i interpretuar para publikut që zakonisht është në numër të madh. Të tillë solistë do të jenë 11, ndërsa në instrumente do të performojnë 17 solistë.

Solistja Kaltrina Miftari, e cila do të jetë njëra ndër 11 solistet vokale të mbrëmjes, tha se do të jetë kënaqësi për të të interpretojë një pjesë të veçantë, ndërkaq theksoi problemet teknike me të cilat përballet Filharmonia si rezultat i mungesës së një salle të operës.

Këto shqetësime i përcjelli edhe drejtori Kelani, i cili bëri thirrje që institucionet e Kosovës të cilët janë përgjegjëse për këtë fushë, të bëjnë hapa dinamik dhe të pakthyeshëm për të siguruar nëse jo një sallë të operës, atëherë një të ashtuquajtur sallë universale që plotëson kushtet për interpretimin e mirëfilltë të operave.

"Dua ta shpreh brengën më të thellë institucionale që edhe tash pas 15 viteve të përfundimit të luftës ne ende nuk e kemi një objekt, ta quajmë sallë universale koncertale, gjë që vështirëson tej mase punën e këtij institucioni", ka thënë Kelani.

Programi i koncertit përmban vepra kolosale të huaja nga Verdi, Biazolla, Bizet, Purcell e Strauss, por edhe shqiptare, si veprat e Çesk Zadesë.

"Sa herë vi këtu, më presin me ngrohtësi dhe entuziasëm, ndërsa mua më vjen shumë mirë për shkak të problemeve që kanë artistët në mbarë botën. Më vjen shumë mirë që një koncert i tillë është bërë tradicional këtu dhe shpresoj që të vazhdoj kështu", ka thënë Todorov.

Edhe këtë vit pritet që në koncertin tradicional të fundvitit të jetë i pranishëm një publik i madh i përbërë nga të gjitha moshat, që do të ketë rastin që ndër të tjerë të dëgjojë Besa Llugiqin, Marigona Qerkezin, Kaltrina Miftarin, Luan Durmishin, Selvije Martetin dhe Safet Berishën.