Filip Roth, tanimë 76 vjeç (ka lindur në Newark, Nju Xhersi, në mars të vitit 1933) shkruan prej më shumë se 50 vjetësh. Librat e tij kanë qenë subjekte të disa filmave, mes të cilëve përmendim "Njolla njerëzore" me Nikol Kidmanin dhe "Elegji" me Penelop Kruz. Megjithatë, në rrjedhën e kohës, temat e 23 romaneve dhe një numri të pafund tregimesh që ai ka shkruar, kanë ndryshuar. Dikur, personazhet e tij karakterizoheshin nga dashuria për jetën, optimizmi dhe satira, ndërsa sot, janë të frikësuar, i vret ndërgjegjja dhe kanë parandjenja frike. Romani i fundit i shkrimtarit amerikan titullohet "Indignation" dhe konsiderohet nga kritika amerikane si një ndër më të mirët e tij. Ngjarjet zhvillohen në kohën e luftës së Koresë dhe protagonisti kryesor është një burrë, i rënë në atë konflikt që u drejtohet lexuesve nga varri.



Zoti Roth, ky roman shënon një kthesë që ripasqyron raportet tuaja me plakjen?



Kam frikë se po.



Çfarë kuptimi ka fjala "kam frikë", nuk keni qenë i ndërgjegjshëm për zgjedhjet tuaja?



Le të themi se ato që më udhëheqin janë interesat e mia të momentit dhe kur zgjedh një temë, këtë e bëj në mënyrë të ndërgjegjshme. Sot do ta kisha të pamundur të shkruaja gjëra alegro ose vetëm argëtuese. Pas zgjedhjes sime nuk ka asgjë që i ngjan një ideologjie, madje nuk ka asnjë planifikim të punës sime. Po e përsëris, ajo që shkruaj është gjithnjë dhe vetëm refleksi spontan i interesave të mia dhe asgjë tjetër.



Plakja po afron?



Nuk po afron, ka ardhur. Megjithatë nuk duhet të mërzitem, sepse kam bërë për vete shumë lexues të rinj.



A mund të na flisni pak për personazhin kryesor të librit?



Mund të them se gjuha, toni i zërit të personazhit përfaqësojnë periudhën e viteve ‘50, kur zhvillohet edhe çështja. Në atë kohë nuk e kuptonin se sa shtypës mund të ishte shteti. Pastaj erdhën vitet ‘60. Ngjarja zhvillohet në kohën e qeverive të Trumanit dhe Ajzenauerit.



Ju shkruani shpejt, ndërsa Thomas Pynkon, që është duke publikuar një roman të ri, është i ngadaltë, sepse nuk arrin të ndahet lehtë nga personazhet që ka krijuar.



Në fakt, personazhet e mi jetojnë vetëm në tregime. Janë të lidhur ngushtë me ngjarjet në romanet që kam shkruar.



Ju jeni një shkrimtar realist. Në librat tuaj keni trajtuar një temë antike, atë të jetës në familjet hebreje. Si e shihni të ardhmen e hebrenjve amerikanë?



E ardhmja e tyre është në Amerikë, ku ata janë përshtatur plotësisht.



Në vitet ‘60, një rabin në Nju Jork pati thënë për ju: "Kush do t‘ia mbyllë gojën atij njeriu"?



Ai burrë vdiq pak kohë më parë. Emri i tij ishte Emanuel Rakman.



A ishte ai në dijeni të karrierës suaj?



Eh, njeriu për të cilin Rakman fliste, isha unë, dhe në atë kohë, isha vetëm 26 vjeç . Sulmi i tij m‘u duk i rëndë. U mërzita shumë.



Çfarë ideje kishit në atë kohë për hebrenjtë?



Para Luftës së Dytë Botërore, isha vetëm një fëmijë. Në atë kohë, hebrenjtë ishin të ndërgjegjshëm për atë që ishin. Diskriminoheshin hapur. Në vitet ‘30, antisemitizmi nuk ishte i ndaluar dhe as tabu. Lufta e Dytë Botërore ndryshoi gjithçka. Kolegjet që nuk pranonin studentë hebrenj, i hapën gjerësisht portat ndaj të rinjve me një intelekt të jashtëzakonshëm. Të rinjtë hebrenj e dinin se duhej të fitonin shumë për të dalë nga getot dhe për të jetuar në lagjet e qytetit. Nuk besoj se termi "përthithje" është ai i duhuri për hebrenjtë amerikanë, sepse të jep ndjenjën e pasivitetit dhe të një klime autoritare, gjë që nuk mund të thuhet për hebrenjtë amerikanë, të cilët janë bërë amerikanë me dëshirën e tyre, duke investuar shumë energji në këtë proces. Tani asnjë i krishterë nuk pyet më nëse një person është me origjinë hebraike apo jo dhe askush nuk është më i detyruar të ndërrojë mbiemrin. Kjo është diçka pozitive. Me përjashtim të ndonjë gjëje të paparashikuar, mund të them se në Amerikë, antisemitizmi ka vdekur me të vërtetë.



Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për antiamerikanizmin në pjesën tjetër të botës?



Në Evropë, gjithnjë ka pasur një formë antiamerikane, qesharake dhe injorante. Por në këto tetë vjet, bota ka pasur të drejtë të mbajë një qëndrim kundër Amerikës, për shkak të politikës së ndjekur nga Bush, nga dëshira e tij për luftëra, provincializmi, injoranca historike dhe mungesa e aftësisë së tij për të gjykuar. Ruzvleti thoshte se e vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është vetë frika. Bushi e ndërtoi themelin e pushtetit të tij mbi frikën. Këtu lind antiamerikanizmi i ri. Kur Barak Obama mbajti fjalimin në Berlin, gjatë fushatës elektorale, ishin të panumërt ata që e dëgjuan, sepse ishin të lumtur që kishin gjetur vlerësimin, respektin për Amerikën.



A do të mund t‘ia dalë mbanë?



Pas Tomas Xhefersonit, ai është Presidenti më inteligjent që ka pasur ndonjëherë Amerika. Por ç‘mund të bëjë në këtë situatë sot? Problemet që rëndojnë mbi të janë jashtëzakonisht të mëdha.



Mund të themi se një lloj qëndrimi kundër amerikanëve u duk edhe në jurinë suedeze për ndarjen e çmimeve "Nobel". Tetorin e kaluar, sekretari i saj pati thënë se autorët amerikanë ndikohen shumë nga tendencat e kulturës së masës në vendin e tyre. Sot, sipas tij, qendra e letërsisë është Evropa. Probabiliteti që "Nobelin" për letërsinë ta fitojë ndonjë shkrimtar amerikan është thuajse zero?



Nuk besoj se e ka thënë këtë.



Po, e ka thënë …



Kushdo që ka pak njohuri në fushën e letrave, e di se që nga viti 1945 letërsia amerikane ka dhënë prova të një force të jashtëzakonshme. Mund t‘ju citoj qindra shkrimtarë të mëdhenj amerikanë.



A jeni i lumtur?



Nuk e pyes kurrë veten.



Përse?



Sepse nuk më intereson. Rëndësi ka që puna ime të ecë përpara. Të shkruash një libër, për mua do të thotë të jetosh. Në mëngjes, sapo zgjohem, kam dëshirë të rinis punën. Periudha më e keqe është gjithnjë intervali mes dy librave. Në ato çaste, nuk di si t‘i kaloj ditët e mia. Nuk di asnjë mënyrë për të kaluar kohën. Thjesht kam lindur për të shkruar. Kur nuk shkruaj, më duket vetja si një makinë, rrotat e së cilës xhirojnë kot në borë.