Nga Mustafa Nano
Në pamje të parë të jepet përshtypja, se në debatin politik shqiptar lidhur me rihapjen e kutive të votimit ka një kontrast të fortë midis atyre që shenjtërojnë demokracinë dhe atyre që shenjtërojnë institucionet, duke na e shndërruar kështu emërtimin e vetë sistemit të “demokracisë liberale” në një frazë dikotomike. Duket pra, me fjalë të tjera, sikur nga njëra anë kemi demokratët (d.m.th socialistët tanë), që i mëshojnë idesë se numërimi i saktë i votave është alfa e sistemit, rrjedhimisht është një gjë e panegociueshme, e nga ana tjetër kemi liberalët (d.m.th demokratët tanë), që i mëshojnë idesë se nuk mund të shkohet asgjëkund, nëse nuk u bindemi vendimeve të institucioneve të pavarura, rrjedhimisht as që duhet çuar në mendje rinumërimi i votave.
Esencialisht mund të mos jetë fare kështu (dhe sipas meje, nuk është: thellë-thellë as socialistët nuk e bëjnë qejfin qeder për votën e lirë të shqiptarëve, as demokratët nuk e çajnë kokën fare kur vjen puna te respektimi i institucioneve), por debati ka marrë tanimë këtë veshje parimore. Si i tillë, po merret seriozisht nga të huajt, që mbulojnë punët e Shqipërisë. Të djathtët europianë janë të idesë se mbi të gjitha është legaliteti, ligji, institucionet, procedurat, ndërsa të majtët anojnë nga ideja, se gjithçka duhet të fillojë me të vërtetat elektorale, për pasojë, me verifikimin e legjitimitetit të pushtetit.
Le të bëjmë sikur i besojmë palët në debat, e le ta marrim seriozisht këtë çështje, bash si e shtrova pak më sipër. Njerëzit kanë qenë fillimisht liberalë (pa “e ditur” këtë gjë, pasi termi “liberal” ka dalë më vonë për të përkufizuar qasje, praktika e dukuri të papagëzuara), e më pas kanë zënë të sillen si demokratë e të flasin për demokraci (po e lëmë mënjanë demokracinë e Athinës antike, e cila nuk është se ka ndonjë lidhje kushedi se çfarë me demokracinë moderne). Mos vallë pikërisht kjo epërsi “anagrafike” duhet përkthyer në një avantazh për liberalët shqiptarë në debatin tonë politik të këtyre ditëve? E vërteta është se në vende me demokraci liberale të konsoliduar - jo thjesht për shkak të kësaj epërsisë “anagrafike” - debate të tilla janë fituar rëndom nga liberalët. Dua të them se dyshimi apo shqetësimi i humbësve mbi votën e manipuluar ka mbetur një gjë e paartikuluar, ose e mezi artikuluar në rrethanat kur institucionet e kanë thënë fjalën e tyre. Doni një rast të freskët e spektakolar? Të gjithë kanë qenë të bindur se Al Gore i fitoi de facto zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, kur ai ishte në garë me Bush-in e Ri, por fitorja de jure iu njoh këtij të fundit. Dhe Al Gore nuk bëri zë. Me t’u informuar mbi vendimin e gjykatës, mori në telefon rivalin, dhe i uroi fitoren. Leksioni? Vendimi i gabuar i një gjykate pati rëndësi më tepër sesa e vërteta elektorale. Po pse? Sepse gjykata është gjykatë. Mirë a keq, vendimi i saj është ultima ratio. 
Kjo është thjesht kultura politike anglo-saksone? Jo, edhe në Europën kontinentale verifikohet (s’ka gjë se jo në të njëjtën masë) sublimimi i institucioneve përpara sublimimit të së vërtetës. Dhe kur flas për të vërtetat, nuk e kam fjalën domosdoshmërisht për të vërtetat brenda kutive të votimit. Institucionet e shtetit të së drejtës vendosin për një numër të pafundmë çështjesh, e këtu nuk ka pse të përjashtohet që ato të marrin dhe vendime të gabuara që kanë të bëjnë me konflikte, prona, jetë njerëzish etj., etj. Këto vendime, kur janë të formës së prerë e të paapelueshme, thjesht zbatohen dhe pikë. Diskutimet e mëpasme lidhur me saktësinë apo pasaktësinë e vendimit nuk e prekin e nuk e influencojnë fare procedurën e zbatimit të këtij të fundit. Mund të flitet atëherë për një fitore apriori të liberalëve në ndeshje të kësaj natyre me demokratët? Në shumicën e rasteve, po. Atëherë, demokratët shqiptarë kanë të drejtë përballë socialistëve? Hëm, këtu ndryshon puna. E kur them këtë, nuk është se besoj që meraku i Ramës për votën e lirë është më i madh e më parimor sesa meraku i Berishës për institucionet. Jo, jo, as që më shkon në mendje kjo gjë. çështja është që, në ndryshim nga bota e demokracive liberale të konsoliduara, ne e kemi filluar me demokracinë. Institucionet e para që u ngritën në Shqipërinë postkomuniste kanë qenë partitë. Edhe vetë institucioni i zgjedhjeve, nën presionin e apelit që bënte koha për ndryshim, u bënë para institucioneve të tjera, madje edhe para institucioneve zgjedhore. Zgjedhjet e lira te ne nuk ishin një procedurë rutinore, siç ndodh gjithandej; ishin në fakt një mënyrë për të përuruar epokën e re. Mund të mendohet se shteti i Hoxhës, ngaqë ish në mënyrën e vet një ngrehinë ligjore e institucionale, nuk arriti t’i zhbënte qasjet e praktikat liberale, mirëpo s’është tamam kështu. Në regjimin komunist ligji ishte në funksion të partisë. Në këtë kuptim, ne zumë të ngremë demokracinë në një truall pothuaj të boshatisur liberal. Kjo është e para.
Por edhe sikur të mos ishte kjo, është bota e institucioneve që është ende e dobët, s’ka gjë se kanë kaluar njëzet vjet prej përmbysjes së komunizmit. Institucionet tona të pavarura kushtetuese janë partizane e të kontrolluara egërsisht nga partitë. Përveç kësaj, janë të korruptuara e të korruptueshme, ashtu siç janë të gjitha instancat vendimmarrëse në Shqipëri. Ka edhe më. Institucionet tona, edhe po të mos komandoheshin nga politika, do të ishin në mëshirën e njerëzve të paaftë profesionalisht. Pa e tepruar fare mund të thuhet se institucionet shqiptare komandohen nga mediokriteti. Duhet besuar te këto institucione në këto rrethana? Duhet besuar që ç’ke me të, pasi nuk kemi alternativë tjetër. Por puna është që janë vetë politikanët shqiptarë, që nuk kanë lënë institucion pa sulmuar e përbaltur. Këtu janë shquar e shquhen pikërisht ata që s’duan të hapin kutitë me pretendime liberale.
Këto institucione - e përsëris - duhen besuar, megjithatë. E në të njëjtën kohë, duhen ringritur, korrektuar, riorganizuar e konsoliduar. Dhe kjo mund të bëhet veç nga një parlament, të cilit, bash për këtë funksion në radhë të parë, i lipset një legjitimitet i paplasaritur. Dhe ky legjitimitet duhet e mund të burojë nga numërimi i saktë i votave.
Më në fund besoj se duhet besuar fuqimisht - kjo s’ka lidhje tamam-tamam me fërkimin mes demokratësh apo liberalësh mbi të njëjtën çështje - që riverifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të fundit nëpërmjet rinumërimit të votave do të dekurajonte përfundimisht qejflinjtë e manipulimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet e shoqërisë e të politikës. Precedenti i rinumërimit, tok me frikën prej ndëshkimit (rinumërimi do të bënte që të dërgoheshin të prangosur në sallën e gjyqit dhjetëra vetë), do të ishin hapi i parë i madh në rrugën drejt zgjedhjeve normale në këtë vend. E kjo s’do ish pak. Bashkë me demokratët, do të fitonin edhe liberalët.