Konsullatat e Republikës së Kosovës kanë filluar nga dita e martë të ofrojnë shërbime konsullore për bashkatdhetarët që jetojnë në vendet ku ekzistojnë përfaqësitë e shtetit të ri.

Shërbimet që do të ofrohen në këtë faze janë aplikimi për pasaporta, shërbime për fitimin dhe lirim nga shtetësia e Kosovës, shërbimi për regjistrimin e lindjeve, martesave dhe vdekjeve.



Po ashtu, do të ofrohen edhe shërbime për vërtetime të ndryshme dhe legalizim të dokumenteve.



Vendimin për fillimin e këtyre shërbimeve e ka marrë ditë më parë Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e cila i ka njoftuar të gjitha përfaqësitë diplomatike të shtetit që të jenë të gatshme që nga 15 qershori të fillojnë me shërbimet konsullore.



Në njoftimet dërguar konsujve të Kosovës, MPJ’ja ka precizuar edhe shërbimet për qytetarë, të cilët mund të ofrohen në këtë fazë dhe për taksat që duhet të paguajnë kosovarët që jetojnë në shtetet ku janë të vendosura konsullatat e Kosovës.