Procesi gjyqësor për tre të akuzuarit për skandalin e dhunimit të varreve të fshatit Boboshticë është shtyrë qysh në seancën e tij të parë. Kreu i “Omonias” në Korçë, Naum Disho dhe dy punëtorë që hodhën betonin në këto varreza, janë tre të pandehurit që do të gjykohen për akuzën e dhunimit të varreve. Seanca e parë është shtyrë dje, për shkak të mosparaqitjes së muratorit Alqi Koroveshi. Ndërkohë që seanca e radhës është vendosur se do të zhvillohet në datën 29 dhjetor. Nga trupi gjykues u bë e ditur se ka pasur një ngatërresë për adresën e saktë të muratorit nga fshati Polenë, dhe ai nuk e ka marrë njoftimin zyrtar për t’u paraqitur gjyq. Ndërkaq, kanë qenë të pranishëm kryetari i “Omonias”, Naum Disho dhe muratori tjetër, Luan Laze. Drejtuesi i trupit gjykues, Gjergji Koço ka vendosur që të shtyhet seanca, pasi punëtori Alqi Koroveshi konsiderohet si dëshmitari më i rëndësishëm dhe si personi që ka marrë pjesë në kryerjen e punimeve, të cilat konsiderohen dhunim i varreve. Asnjë zhvillim nuk pati kjo seancë e shkurtër gjyqësore e shtyrë ndaj tre të akuzuarve për dhunimin e varreve të Boboshticës, ndërsa avokati i kreut të “Omonias” kërkoi që procesi të zhvillohej pa praninë e mediave, kërkesë kjo që nuk u pranua nga trupi gjykues. Hetimet për tre personat që akuzohen për dhunim të varrezave publike të fshatit Boboshticë u mbyllën nga Prokuroria e rrethit të Korçës para dy javësh. Organi i akuzës i cilësoi përgjegjës dy punëtorët dhe kreun e “Omonias” së Korçës, për gërmime dhe punime që kanë sjellë dhunim të varrezës. Skandali i dhunimit të varrezave të fshatit Boboshticë u zbulua pas sinjalizimit të vetë banorëve të këtij fshati, ndërsa kishin përfunduar punimet. Banorët u ankuan se nga hedhja e betonit ishin mbuluar varre të vjetra të të parëve të tyre, por reagimet u ashpërsuan kur në anë të rrugës prej betoni, dolën pas rënies së shirave, edhe eshtra.