Në kundërshtim të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbinë në Bruksel, në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve në mes këtyre dy vendeve, partitë opozitare do të fillojnë nënshkrimin e peticionit kundër kësaj marrëveshje.
Organizimi i peticionit po bëhet në Lëvizja Vetëvendosje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën dhe do të mbahet në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës.
Kryetarët e këtyre tri subjekteve: Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj do të nënshkruajnë peticionin në orën në ora 11:00, në tendën që është e vendosur afër Ministrisë së Kulturës.
Aty do të ketë edhe prononcim për media.
Rikujtojmë se delegacioni kosovarë dhe ai serb, të kryesuar nga dy kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vucic, më 25 gusht në Bruksel kanë arritur një pako marrëveshje.
Siç dihet në këtë pako të marrëveshjes ishin: Marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe, ajo për telekomunikacionin, ajo për energjetikën, si dhe marrëveshja për heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër, për të cilat u diskutua në qershor, por pa u arritur në ndonjë marrëveshje konkrete.
Këto marrëveshje po kundërshtohen vazhdimisht nga partitë opozitare, të cilat madje kanë paralajmëruar edhe protesta lidhur me këtë. Ato tashmë kanë filluar edhe me aksione të ndryshme kundër Qeverisë dhe kryeministrit Mustafa.
Sipas opozitës, këto marrëveshje janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjeve në fuqi.
Por, Qeveria e Kosovës ka ritheksuar se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë në përputhje të plotë me ligjet dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se ato do të fuqizojnë sovranitetin e shtetit të Kosovës.