Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri,së bashku me Ministren Xhaçka dhe drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar ndoqën nga afër fillimin e punimeve për rehabilitimin e segmentit rrugor Burrel-Klos. Investimi në segmentin me gjatësi 18.6 km do të jetë në vlerën 3.7 milionë eurove në kuadër të programit të qeverisë shqiptare për mirëmbajtjen e rrugëve. Ministri Gjiknuri theksoi se ka gati mbi 20 vjet që në këtë segment nuk është bërë asnjë investim serioz dhe për herë të parë po bëhet një rikonstruksion i plotë i gjithë kësaj rruge.


” Për herë të parë po bëhet një rikonstruksion i thellë i gjithë kësaj rruge dhe realisht kjo ka qenë nga nyjet shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare, sepse ka edhe transportin e mallrave sidomos nga pjesa e Bulqizës drejt uzinës së Burrelit apo drejt portit të Durrësit. Nga pikëpamja strategjike kjo është një nga rrugët e rëndësishme që meritonte ndërhyrje me kohë.


Fatmirësisht programi jonë për rehabilitimin e rrugëve, programi kombëtar qoftë për ndërtimin e rrugëve të reja, qoftë për rikonstruksionin e atyre që kemi po jep frytet e duhura dhe ky investim serioz do ta ndihmojë shumë bashkinë e Klosit dhe bashkia e Klosit ka edhe një fat sepse me përfundimin e rrugës së Arbrit dhe me këtë lidhje të re në drejtim të Burrelit do të jetë një bashki që do të ketë një akses të jashtëzakonshëm në të gjitha drejtimet e Shqipërisë dhe komuniteti këtu do të ndjej përfitimet ekonomike.


Ne ironikisht hodhëm poshtë edhe skeptikët apo kritikët që para ca kohësh na thonin që e paskemi harruar këtë krahinë. Fatmirësisht ne për herë të parë po bëjmë një investim serioz në infrastrukturën rrugore që këtu e kanë pritur prej shumë e shumë vitesh. Unë ju uroj sukses dhe përfundim të shpejtë”, tha Gjiknuri


13 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)