Projekti i filmit të metrazhit të gjatë "Martesa" ka hyrë në mesin e filmave që janë pjesë e seksionit të sivjetmë "Works in Progress" (filmat në përfundim e sipër) në Karlovy Vary, duke konkurruar kështu për 100.000 euro fonde shtesë për finalizimin e filmit.

Filmi "Martesa" i regjisores Bletta Zeqiri, që flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese, është pranuar në seksionin e filmave në fazën përfundimtare (Works in Progress) të festivalit të njohur ndërkombëtar të filmit në Karlovy Vary të Çekisë.

Nga 53 projekte sa kanë konkurruar për këtë seksion, filmi i parë i gjatë i Blerta Zeqirit ka hyrë në mesin e 9 projekteve ndërkombëtare që garojnë për çmimin e parë prej 100.000 euro ndihmë në finalizimin e filmit.

Muaj më parë Zeqiri pati thënë për KosovaLive se me këtë film synon të tregojë vështirësinë që individi ka për të qenë "i mirë" me të gjithë dhe për të bërë një jetë, e cila pranohet nga të gjithë. Një përpjekje e këtillë, në gjithë ato kalkulime, e shtyn individin ta harrojë plotësisht vetveten.

Aktorët kryesorë që do të paraqiten në film janë Alban Ukaj, Adriana Matoshi e Genc Salihu. Ata do interpretojnë personazhet Bekimi, Anita dhe Noli. Sipas Zeqirit, ata tash e një kohë po punojnë intensivisht, me qëllim të ndërtimit sa më të mirë të personazheve dhe e din se për ta puna më sfiduese do të jetë realizimi i skenave të dasmës, në të cilat do të marrin pjesë dhjetëra aktorë, valltarë, muzikantë e statistë.

Projekti i metrazhit të gjatë "Martesa", është produksion i "Beze" me producent Keka Kreshnik Berisha dhe "Bunker Film" me bashkëproducent Eno Milkani dhe është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Përveç këtij projekti, në Karlovy Vary do të jepet premiera ndërkombëtare e filmit kosovar "Home Sweet Home" me skenar nga Zymber Kelmendi dhe regji nga Faton Bajraktari.