Xhelil Gjoni i PS, në Strasburg, nuk merr as më shumë e as më pak se ç’i ka dhënë mazhoranca

I njohur së fundmi si Xhelil Gjoni i PS-së, për ekstremizmin e treguar ndaj forcave të jashtme dhe fobisë së trashëguar, për bllokimin e daljes së shqiptarëve drejt perëndimit, Edvin Kristaq Rama kthehet nga Strasburgu duarbosh.
Një komunikatë për shtyp e shpërndarë dje nga zyra e shtypit e PS-së në Tiranë, thotë se kryesocialisti ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga homologët evropianë në Strasburg, për transparencën e zgjedhjeve! Komunikata e shpërndarë nga PS fund e krye është një propagandë e rëndomtë e Edvin Kristaq Ramës, pasi aty nuk thuhet asgjë, përveç atyre që janë dëgjuar shpesh deri më tani. Zëvendëspresidenti i parë i Parlamentit Evropian, Giovani Pittella, i ka deklaruar Ramës se mbështet kërkesën e tij për hetimin parlamentar të zgjedhjeve, por kjo duhet bërë vetëm përmes pjesëmarrjes së vazhdueshme në jetën parlamentare, për të mos cenuar procesin e reformave, në një kohë kur Shqipëria është në prag të zhvillimeve të rëndësishme integruese. Parlamentarët evropianë, konfirmojnë edhe njëherë respektimin e dispozitave ligjore për hetimin e zgjedhjeve dhe se për të bërë këtë transparencë të presupozuar opozita duhet të jetë më atraktive në ndjekjen e rrugëve ligjore. Sigurisht që ky reagim i një përfaqësie ndërkombëtare, ia rëndon situatën e konfrontimit politik Edvinit, pasi për të disatën herë merr të njëjtën “shuplakë” edhe nga homologët e tij evropianë.
Xhelili i PS-së, një ditë më parë u shfaq si lobues i interesave të shqiptarëve për të lëvizur të lirë në hapësirën “Schengen” por harroi se vetëm dy ditë më parë ai dha urdhër që deputetët e opozitës të mos ndjekin në komisionin e Jashtëm parlamentar, shqyrtimin e rezolutës së PD-së, për liberalizimin e vizave. Tjetër thagmë kjo, që përsëri doli nga Edvin Kristaq Rama, për të mashtruar shqiptarët me filozofinë e tij gënjeshtare dhe njëherazi të faktuar si dështake.

...