Real Madrid dhe Atletico do të përballen me njëri-tjetrin në finalen e Ligës së Kampioneve, ashtu sikurse ndodhi dy sezone më parë në Lisbonë. Por këtë herë të dyja ekipet vijnë me shumë ndryshime.


Në portë, Reali nuk do të ketë Casillas, fajtorin e golit të pësuar nga Godin, por Navas. Në krahun tjetër, Courtois i kthyer te Chelsea ia ka lënë vendin polakut Oblak.


Në mbrojtje, te Reali dy janë ndryshimet në krahasim me 2014: Carvajal dhe Marcelo janë në formacionin e parë së bashku me Sergio Ramos e Pepe. Përpara dy sezonesh, Ancelotti kishte preferuar Varane e Coentrao në formacionin bazë. Ndërsa te Atletico janë të konfirmuar Juanfran, Felipe Luis e Godin. E reja për këtë vit është prania e Gimenez në vend të Mirandës.


Mesfusha është reparti me më me shumë ndryshime. Te Atletico kanë mbetur Koke e Gabi, me të cilët janë bashkuar Saul e Fernandez, ndërkohë që në vitin 2014 në fushë ishte Raul Garcia, i larguar te Athletic Bilbao, ndërsa Tiago e humbi vendin kundrejt Fernandez. Te Reali, nuk është më Di Maria. Është larguar edhe Khedira, ndërkohë që ka mbetur Modric së bashku me Casemiro e Kroos.


Përsa i përket sulmit, te Reali është e pamundur të ndash të famshmen BBC (Benzema, Bale e Cristiano). Të tre këta futbollistë duken se janë në një gjendje shumë më të mirë fizike dhe psikologjike në krahasim me vitin 2014. Ndërsa te Atletico, Villa e Diego Costa janë larguar dhe në vendin e tyre tashmë janë Griezmann dhe Fernando Torres, dy sulmues që mund të rezultojnë shumë të rrezikshëm.