TIRANE - Diploma e shkollës së lartë të Renzo Bossit, i ka kushtuar plot 230 mijë euro, arkës së Lega Nord. Ish financieri i Legës, Francesco Belsito, i cili tashmë është në arrest shtëpie, ka rrëfyer se diplomimi i Bossit Junior në një shkollë të lartë private në Shqipëri dhe më pas në Londër ka kushtuar një thes me para.

“Për të marrë diplomën nga universiteti “Kristal” në Tiranë, - u ka thënë ai hetuesve, - na u desh të blinim 20 provime”, shkruan gazeta “La Repubblica”.

Më tej prestigjozja italiane shkruan se megjithatë, kjo diplomë, e cila mban vulën e shqiponjës së universitetit në Shqipëri, ishte e pavlefshme në Itali, dhe për ta bërë së paku një diplomë të vlefshme në Padania, ishte e nevojshme të ndërmerrnin edhe hapa të tjerë.

“Më pas iu drejtuam një universiteti privat në Londër, -ka rrëfyer Belsito – nga ku nga 20 provimet shqiptare të Renzos, iu njohën vetëm 17”. Në prill të vitit të kaluar doli në dritë skandali me diplomën e “Kristal” të Renzo Bossit, diplomë e cila nuk korrespondonte me vitet kur ai kishte përfunduar shkollën e mesme.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)