18/04/2012  Diferenca e shumave të ofruara ka bërë që të shtyhet realizimi


Ibro: Na kanë bërë presion, por ne i kemi rezistuar


Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OST) ka reaguar dje në lidhje me shkrimin e botuar në gazetën kosovare “Zëri”, sipas të cilës në ndërtimin e linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës ka afera të dyshimta dhe bashkëpunim me mafien serbe. Arben Ibro, drejtori i OST-së, me anë të një deklarate sqaron se tenderi për këtë linjë është hapur më datën 8.03.2011 dhe është vijuar sipas proceduat ligjore dhe me standardet e ofruara nga KFW. Pasi KFW është institucioni gjerman që ka financuar projektin. Për fitimin e këtij tenderi, sipas Ibros, ishin vetëm dy kompani: një kroate dhe një Boshnjake. “Ky autoritet ka hedhur poshtë çdo presion, ngado që ka ardhur, dhe ju ve në dije se ato nuk kanë qenë të pakta, për të shpallur fitues një kompani që në këtë rast kishte një çmim aq të lartë krahasuar me kompaninë tjetër”, - deklaroi Ibro, që ka përgënjeshtruar lajmet e publikuara disa ditë më parë nga mediet në vend dhe ato në Kosovë. Kompania kroate “DALEKOVOD” kishte bërë një ofertë me një vlerë prej 36 milionë eurosh, e cila do të ndërtonte linjën për pjesën shqiptare. Ndërsa kompania e dytë boshnjake, “ENERGOINVEST”, kishte bërë një ofertë prej 27 milionë eurosh për pjesën e Kosovës. Diferenca prej 9 milionë eurosh nga një kompani është bërë shkaku i paralizimit të tenderit për linjën e interkonjeksionit. Sipas ligjeve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare, nuk mund të pranohet një ofertë kur njëra kompani ka dhënë një ofertë më të lartë. Pranimi i saj përveçse do të bënte shkelje ligjore, do të sillte edhe kosto financiare, pasi paratë e përfituara për këtë investim janë marrë në formë huaje, e cila në të ka një normë interesi për shlyerjen e saj. Më pas drejtori i ERE-s ka thënë se pranimi i ofertës do të rriste koston e borxhit publik ndaj taksapaguesve shqiptarë dhe se autoriteti kontraktues është brenda të gjitha afateve të përcaktuara nga ligji.


Reagimi i Ramës


Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi sot se qeveria po bllokon projektin e energjisë me Kosovën me interes kombëtar. Në mbledhjen e grupit parlamentar kreu socialist shtroi pyetjen se pse është bllokuar ky projekt. “Pse është bllokuar prej një viti ky projekt strategjik? Duhet të çlirohet një orë e më parë ky projekt dhe të realizohet pa u humbur më kohë shqiptarëve. Dikush do të ndëshkohet në këtë llum që mban erë korrupsion. Ky është një nga rastet kur turpi i mbetet qeverisë shqiptare. Kjo qeveri s’ka sy për të parë interesin kombëtar.”