Bernd J. Fischer vjen nesër në Tiranë për të prezantuar rezultatet e kërkimeve të fundit mbi synimet e Gjermanisë Naziste në Shqipëri, në periudhën e pushtimit, më 1943-'44





Pas botimit në shqip të veprës, "Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945", autori Bernd J. Fischer, në vijim të temës, paraqet nesër para albanologëve shqiptarë rezultatet e kërkimeve të fundit. Konferenca shkencore që mbahet nesër në orën 11.00 në Sallën Amerikane të Bibliotekës Kombëtare, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike, trajton "Synimet e Gjermanisë naziste në Shqipëri, 1943-1944".





Studiuesi amerikan, profesor i historisë në Universitetin Indiana në SHBA, sjell dokumente të reja për politikat që pushtuesit nazistë ndoqën në Shqipëri.





Çfarë merr në analizë Fischer-i në synimet e të ashtuquajturve "miq" pushtues të shqiptarëve; raportet dhe marrëveshjet me qeveritë kuislinge dhe forca të tjera politike të përfshira në luftë; objektivat në fushën ekonomike dhe financiare, etj.





Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë, i cili shoqëron Fischer-in në këtë konferencë, pret të dhëna interesante nga kërkimet, gjurmimet, analizat dhe patjetër krahasimet e këtij studiuesi që operon me metodat objektive shkencore.





Me kapitullimin e Italisë fashiste, më 8 shtator 1943, nis periudha e pushtimit gjerman, një pushtim që ka të përbashkëta me paraardhësit dhe të veçantat e veta.





Fischer-i është nesër këtu për të bërë një analizë të politikës gjermane në bazë të kërkimeve në arkivat gjermane dhe britanike. Duke ia lënë detajet autorit, Meta thotë se pret gjëra të reja nga vështrimi krahasues i dy pushtimeve.





Duke iu referuar mënyrës si është parë kjo periudhë nga historiografia shqiptare, Meta përmend dy modelet për Gjermaninë naziste: modeli që e sheh thjesht si ushtri pushtuese dhe modeli i një pushtimi strategjik të Shqipërisë për qëllime imediate të luftës.





Sipas këtij modeli të dytë, ka studiues shqiptarë që edhe raportet e qeverive "kolaboracioniste" i vlerësojnë, duke marrë në konsideratë pragmatizmin e tyre për qëllime patriotike, për organizimin politik të vendit, etj.





Tek "Shqipëria gjatë Luftës 1939-1945", ky ekspert i çështjeve historike dhe politike për Evropën Juglindore, ka parë në një dritë të re pushtimin italian dhe ndërtimin e Shqipërisë italiane, qeveritë fashiste dhe partinë Fashiste Shqiptare, idenë e Shqipërisë si pjesë e perandorisë së re të Musolinit; bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe krijimin e "Shqipërisë së re"; pushtimin gjerman dhe politikat e veçanta gjermane të ndjekura në Shqipëri me këshillin e Regjencës e qeveritë shqiptare të kohës; lindjen e zhvillimeve të qëndresës kundër pushtuesve dhe ndihma britanike; grupimet e ndryshme politike LNÇ e Partia Komuniste, Balli Kombëtar, Legaliteti, kundërvënia mes tyre deri në përmasat e luftës civile.





"Me të gjitha këto analiza, Fischer-i ka treguar deri tani se është në anën e atyre historianëve që sheh në një këndvështrim të balancuar një epokë shumë të rëndësishme në historinë e Shqipërisë të shekullit të njëzetë", - thotë Meta.





Ai përmend edhe veprën tjetër të të njëjtit autor, "Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri", si për të kërkuar se i duhet kushtuar vërtet rëndësi takimit të nesërm, pasi Fischer-i gjithnjë ka për të thënë diçka, e cila ka treguar se është bërë referencë për kërkuesit shkencorë shqiptarë dhe të huaj.



Kjo jo vetëm për arsye se studimet e tij mbi problematikën shqiptare të viteve '30-'40 mbështeten kryesisht mbi dokumente arkivore të pabotuara, por janë analiza politike e ekonomike të vendit, parë në një situatë më të gjerë, në kuadër të rajonit ballkanik.





Konferenca e nesërme zhvillohet në anglisht, me përkthim simuluan në shqip dhe ndiqet nga 20 minuta pyetje-përgjigje, me prof. Bernd Fischer.