Nga Mero Baze


Ndryshimet në qeverinë “Rama” tre muaj para zgjedhjeve janë po aq të pazakonshme si protestat tre muaj para zgjedhjeve, por kjo me sa duket është dhe e vetmja gjë që i bashkon. Të dy palët kanë një arsye të tyre personale për këto akte të pazakonta, por që ende nuk lidhen me njëra tjetrën.


Opozita është në protestë për arsye thellësisht të brendshme të krizës së saj. Lulzim Basha po përpiqet t’i shpëtojë humbjes së postit formal në krye të PD, duke tentuar të mbajë PD-në jashtë zgjedhjeve, ndërsa Berisha po e inkurajon destabilizimin e zgjedhjeve, me shpresë se kështu merr fund reforma në drejtësi.


E vetmja arsye për të cilën ata nuk janë në protestë, është ajo që thonë, kërkesa për zgjedhje të lira. Në atë gjendje që është opozita dhe sikur zgjedhjet t’i bëjmë në një inkubator të kontrolluar, ata sërisht do të humbisnin.


Edi Rama ka po ashtu arsye tërësisht personale dhe politike në këto ndryshime, të cilat ngjajnë më shumë si një blindim para fushatës se sa si një lëvizje për të “joshur” çadrën.


E sigurtë është, që ato nuk lidhen tashmë as me Ilir Metën, as me PD-në.


Për të kuptuar që ndryshimet nuk kanë lidhje me opozitën dhe çadrën e saj, mjafton të shikoni konfuzionin në të cilën është zhytur opozita nga ndryshimet në qeveri. I vetmi që tentoi ta konsideronte fitore, ishte fillimisht Berisha, që është bërë si ato “nxitëset e tifozëve”, por që në vend të minifundit i çudit njerëzit me qyetarin digital. Ai tentoi të shpikë një teori rreth ikjes së Tahirit, si sukses i opozitës ditën e parë, pastaj u hutua nga ikja e katër ministrave ditën e dytë dhe nuk vë dot gishtin tek asnjë arsye, se ku është fitorja e opozitës.


Basha u tregua më i përmbajtur një ditë më parë, duke bërë sikur nuk e pranonte fitoren, dhe kërkonte kokën e Edi Ramës.


Por e vërteta është se opozita nuk di çtë bëjë me këtë fitore të saj, pasi i duket herë si komplot, herë si pazar, e herë si fitore. Biles e keqja më e madhe që u ka ndodhur është se prej dje në mesditë, Edi Rama i ka hequr prozhektorët e shtypit nga çadra dhe i ka drejtuar mbi ndërtesën e qeverisë, ku një ditë lajmëron ndryshime, një ditë jep emrat e hequr dhe një ditë i lë të presin të dëgjojnë emrat që do të vijnë.


Ilir Meta nga ana e tij është treguar indiferent ndaj ndryshimeve, dhe do ti votojë ata me rutinën me të cilën shumica ka votuar çdo ndryshim të propozuar nga të dy palët. Është e qartë se ai nuk ia quan, as nder, as qeder këto lëvizje Edi Ramës. Thjesht i shikon si punë të tij.


Nesër po ashtu do të jetë një ditë e vështirë për çadrën, kur të dalin katër emrat e rinj të cilët nuk thonë asgjë të re politikisht për PS dhe raportet e saj me çadrën dhe LSI, përkundrazi janë një përforcim politik i partneritetit me faktorin ndërkombëtar qe u konsolidua gjate reformes ne drejtesi dhe një mundësi përfaqësimi e femrave në sektorë kyç si shëndetësia dhe punësimi.


Politikisht ato nuk thonë asgjë, për të menduar se Edi Rama ka një problem me PD apo LSI, përkundrazi duket sikur ai vërtetë ka nevojë të jetë më i blinduar nga sulmet para fushatës. Dhe kur emrat të jenë publik nesër, kam frikë se këto ndryshime do të acarojnë më shumë opozitën, e cila nga fitorja që nxitoi të thërrasë të shtunën, mund tia nisë vajtimit ditën e hënë, për këtë provokim të ri të Edi Ramës, që i mori dy ditë jetë çadrës me emocione të kota.