Seleksioni i përbërë me lojtarë të huaj që aktivizohen në basketbollin kosovar ka fituar ndaj përfaqësueses së Kosovës me rezultat 113:108, në ndeshjen ekzibicionale tradicionale “All Star Kosova”, e cila u zhvillua të mërkurën mbrëma në Palestrën e Sporteve ‘Sezai Surroi’ në Prizren.



Në njërën anë basketbollistët e përzgjedhësit Agim Kasapolli, e në tjetrën ata të trajnerit Muharrem Vugdaliq, dhuruan spektakël, me disa veprime atraktive, që i kënaqën shikuesit e pranishëm. Çerekun e parë e nisën më mirë të huajt, duke u shkëputur në 10 pikë, 19:9. Por, një seri prej 9:0 e kosovarëve bëri që ata ta ngushtonin rezultatin. 10 minutëshi i parë përfundoi baras, 27:27. Në periudhën e dytë kosovarët patën një seri të mirë duke avancuar 45:36. Në fund, pjesa e parë përfundoi me 3 pikë epërsi për Kosovën, 56:53 (çereku i dytë 29:26).



Në periudhën e tretë epërsia luhatej herë tek njëra skuadër, e herë tek tjetra. Të huajt megjithatë e mbyllën këtë 10 minutësh në avantazh, 29:22 (rezultati pas çerekut të tretë 78:82 për të huajt).



Në çerekun e fundit, të huajt u treguan më të vëmendshëm, dhe të udhëhequr nga amerikani Demarius Bolds (25 pikë), që njëherësh u zgjodh lojtari më i mirë i ndeshjes (MVP), fituan me rezultat 113:108. Tek kosovarët, më i disponuari për lojë ishte Granit Rugova, që shënoi 23 pikë.



Haxhibulliq, mbret i tresheve

Në garën për tri pikë morën pjesë gjashtë basketbollistë: Enes Haxhibulliq, Igor Trajkovski, Artan Kurti, Gazmend Asllani, Edmond Azemi dhe Vigan Radoni. Ata gjuajtën prej 5 pozitash nga 3 gjuajtje. Në fazën finale shkuan Haxhibulliq, Trajkovski, Kurti dhe Asllani. Dhe, më i suksesshmi ishte basketbollisti i Bashkimit, Enes Haxhibulliq, që nga 15 tentime ishte i saktë 11 herë. I dyti ishte Igor Trajkovski: 15 tentime – 10 shënime.



Grapci, më i miri në ngulitje

Basketbollisti Ron Grapci e ka fituar garën e ngulitjeve. Në këtë garë morën pjesë katër basketbollistë: Mirza Ahmetbashiq, Demarius Bolds, Theo Little dhe Ron Grapci, ndërsa nga tri ngulitjet që bëri, juria e vlerësoi si më të mirin basketbollistin e ri pejan, i cili u kontestua nga publiku, që i pëlqeu më së shumti ngulitjet e amerikanit Bolds, që megjithatë përfundoi i dyti.