Teuta ka mposhtur 2-0 Vllazninë në sfidën direkte për mbijetesën dhe e ka bërë akoma më interesante garën në zonën e ftohtë të renditjes.


Në Niko Dovana, ishin dy shkodranë që ndëshkuan Vllazninë, pasi në minutën e 32-të, portieri Sherri gaboi totalisht në dalje, duke i dhënë mundësi mbrojtësit të Teutës Hrkaç, të shënojë golin e avantazhit.


E njëjta gjë u përsërit edhe në minutën e 45-të, kur gardiani i portës së Vllaznisë nuk zotëroi si duhet një gjuajtje të Latif, duke i dhënë mundësi shkodranit të Teutës, Esin Hakaj të shënojë golin e dytë për vendasit.


Në pjesën e dytë Teuta administroi mirë rezultatin, ndërsa Vllaznia tentoi vetëm me anë të goditjeve standard, por edhe aktivizimi i 4 sulmuesve, nuk solli ndryshimin e rezultatit dhe shmangien e humbjes.


Kur kanë mbetur edhe 7 javë deri në fund të kampionatit, Vllaznia e Teuta janë me pikë të barabarta në vendin e 8 dhe 9, nga 33 secila, por shkodranët kanë golavarazh më të mirë, ndërsa me vetëm një pikë më tepër renditet Kamza në vendin e 7.


Javët në vijim do të jenë vërtetë tejet të luftuara dhe interesante, pasi të 3 skuadrat do të luftojnë fort, për të shmangur rënien në Kategorinë e Parë.


15 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)