ROME-Trajneri i Juventusit, Ciro Ferrara ka refuzuar të pranojë se humbja e mbrëmshme prej 3-0 ndaj Milanit e rrezikon postin e tij. Ndërkohë ndryshe nga homologu i Juves, trajneri i Milanit, Leonardo, ka qenë i kënaqur me lojtarët e tij pas fitores 3-0 në këtë derb. Trajneri I Juves Ferrara ka thënë sot se ai nuk do të heqë dorë dhe se ndjehet se mund ta rregullojë gjendjen negative në Juventus, por megjithatë është i gatshëm të ‘pranojë çfarëdo vendimi’ që do të merret nga drejtuesit e klubit. “Në mënyrë të dukshme rezultati 3-0 është i pastër dhe erdhi nga tre ndërprerje të lojës, gjë që na ka kushtuar neve edhe në ndeshjet tjera. Por në këtë shkallë ne as nuk e kemi pasur fuqinë për të reaguar”, ka thënë Ferrara pas disfatës së mbrëmshme. Ndërsa Guus Hiddink vazhdon të përmendet si një zëvendësim i mundshëm, Ferrara mohon se kjo humbje e ka rrezikuar punën e tij. “Nuk mendoj se unë rrezikoj punën time. Jam shumë më i përqendruar në atë se çfarë duhet të bëjmë me qëllim që ta përmbysim këtë situatë negative. Pjesa tjetër nuk më takon mua dhe unë nuk marr vendime të tilla. Do të mundohem të bëj gjithçka që mundem ta tejkalojmë këtë moment të keq, pastaj do të pranoj çfarëdo vendimi”, ka shtuar italiani. Ndryshe nga trajneri i Juves, trajneri i Milanit, Leonardo, ka qenë i ngazëllyer me lojtarët e tij pas fitores 3-0 ndaj Juventusit në derbin e mbrëmshëm. Milani shkatërroi Juventusin në Torino falë një goli të shënuar nga Alessandro Nesta në pjesën e parë dhe dy golave të shënuar nga Ronaldinho në pjesën e dytë të takimit. “Sigurisht se nuk ishte e lehtë, pavarësisht rezultatit. Ne ishim në gjendje ta kontrollojmë Juventusin më mirë në pjesën e dytë dhe na u desh kohë të organizohemi. Ata u përpoqën të na detyrojnë të tërhiqemi në mbrojtje dhe kjo funksionoi një kohë”. “Gjëja më e rëndësishme është inteligjenca jonë për tu përballur me mënyrat e reja të taktikave të ekipeve të tjera”, ka thënë Leonardo. (d.b/BalkanWeb)