Rruga Thumanë-Kashar, me gjatësi totale 20.8 kilometra, do tu kushtojë qytetarëve shqiptarë 225.8 milionë euro. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fituese kompaninë Gener 2 në tenderin për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës, për një periudhë prej 13 vitesh.


Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike, në tenderin për ndërtimin e rrugës kanë marrë pjesë 4 kompani, respektivisht Gener 2, Gjikuria, Alpin SRL dhe Gruppo Adige Bitumi.


Ministria e Infrastrukturës ka shpallur fituese kompaninë Gener 2, me ofertë 225.8 milionë euro, ndërkohë që 3 kompanitë e tjera, të cilat kanë ofruar çmime më të larta, u skualifikuan.


Koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar ka nisur përmes një oferte të pakërkuar, pra ndërtimi i kësaj rruge nuk është kërkuar nga qeveria, por u propozua nga vet kompania Gener 2. Për këtë, ajo u shpërblye me 8.5 për qind të pikëve, duke hyrë e avantazhuar në tender.


Sipas projektit, rruga fillon në Thumanë, 150 metra brenda autostratës ekzistuese Milot-Fushë Krujë, dhe përfundon në Kashar, duke u lidhur me autostradën Tiranë-Durrës.


Pas Rrugës së Arbrit, Thumanë-Kashar bëhet vepra e dytë e projektit 1 miliard euro, për të cilën përmbyllet tenderi dhe shpallet zyrtarisht fituesi.


Rruga do të ndërtohet me paratë e vet kompanisë private, ndërsa qeveria do ta paguajë atë më keste për 13 vitet e ardhshme. Sipas vlerës, tashmë zyrtare në total, ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugës për 13 vite do të kushtojë 225.8 milionë euro, ose 10.8 milionë euro për çdo kilometër.


16 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)