foto 10Të nderuara zonja deputete,
Të nderuar zotërinj deputetë,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Të nderuar të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,
Më 23 qershor shqiptarët votuan masivisht, me një shpresë të madhe, shpresë, të cilën ne jemi zgjedhur dhe thirrur ta përmbushim këtu, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Kjo shpresë dhe porosi e shqiptarëve për t'i përfaqësuar e për të zhvilluar vendin është shprehje e besimit që ata kanë treguar duke na dhënë ne mundësinë për të kuvenduar me urtësi, qetësi dhe përgjegjshmëri për të ardhmen e popullit dhe të vendit tonë.
Ky Kuvend duhet të përfaqësojë atë që është pritshmëria e qytetarëve, por edhe praktika më e mirë e punës së parlamenteve evropiane, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien, seriozitetin politik dhe etikën, tolerancën dhe bashkëpunimin, kurajën dhe vizionin, respektin për ligjin dhe parimet demokratike.
Jam i bindur se Kuvendi i ri do të çojë përpara axhendën tonë evropiane, sepse shqiptarët kërkojnë nga të gjithë ne reforma të thella dhe të qëndrueshme, që na afrojnë dhe integrojnë më shumë dhe më shpejt me Evropën, reforma që u sjellin atyre më shumë vende të reja pune, reforma që përmirësojnë jetën e tyre dhe ua bëjnë më të sigurt dhe të begatë të ardhmen e fëmijëve në atdheun tonë të përbashkët.
Prandaj dhe ftesa ime e parë, që buron nga dëgjimi i zërit të qytetarëve që na kanë nderuar dhe sjellë këtu, është pikërisht lënia pas e frymës konfliktuale.
Jemi këtu për të bërë më të mirën për vendin dhe popullin tonë, me alternativa konkrete, të matshme dhe të prekshme, na duhet të japim llogari çdo ditë se çfarë ligjesh të reja do të miratojmë dhe se si do t'i zbatojmë ato për të bërë jetën e të gjithëve më të mirë dhe më të sigurt.
Jam i bindur se ky Kuvend i ri do të ketë më shumë konstruktivitet dhe pozitivitet, më shumë alternativa dhe më shumë zgjidhje. Këtë përqasje politike e bën imperative edhe shëndeti jo i mirë i ekonomisë sonë, treguesit e varfërisë dhe të papunësisë, që janë shqetësues dhe në rritje. Papunësia dhe varfëria janë kundërshtarët tanë të vërtetë, janë sfidat tona të përbashkëta, që duhen fituar në emër të të gjithë qytetarëve tanë pa asnjë dallim. Matësi më i mirë e më i sigurt i çdo politike dhe i kontributit të gjithsecilit prej nesh është pikërisht përgjigjja e pyetjes: Sa vende të reja pune kemi hapur sot dhe sa shqiptarë e kaluan pragun e varfërisë sot?
Vetëm kështu do të rivendosim besimin e duhur të qytetarëve te klasa politike në vend. Ky besim do t'i japë impuls, guxim dhe energji ekonomisë shqiptare që të rimëkëmbet, që sipërmarrja të gjejë forcën, mjetet dhe partneritetin e duhur te qeveria dhe të shteti i së drejtës. Kështu vendi do të ketë më shumë stabilitet dhe parashikueshmëri. Në këtë mënyrë Shqipëria do të bëhet një vend më tërheqës për investitorët e huaj, ekonomia jonë do të rritet dhe vendet e punës do të shtohen.
Jam i bindur se përmirësimi i situatës ekonomike fillon me themelimin e një partneriteti të fortë dhe transparent, me sipërmarrje shqiptare dhe të huaj, i cili shton vendet e reja të punës dhe krijon mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë.
Ne duhet të ecim drejt reformimit të modelit tonë ekonomik duke u bazuar te shfrytëzimi më efikas dhe transparent i resurseve tona të panumërta natyrore, te rritja e prodhimit vendas, por mbi të gjitha te menaxhimi më i mirë i burimeve tona njerëzore, që nuk na mungojnë.
Reforma të rëndësishme na presin për funksionimin më efikas të institucioneve, për të rritur pavarësinë e tyre, por edhe bashkëpunimin midis tyre, sepse zhvillimi dhe përparimi drejt Evropës së bashkuar nuk mund të jetë vepër vetëm e një maxhorance, por është një sipërmarrje kolektive mbarëkombëtare e bazuar në gjithëpërfshirjen e çdo qytetari, çdo politikani dhe institucioni, ku roli i opozitës mbetet i pazëvendësueshëm.
Do të përkujdesemi më shumë për qytetarët e këtij vendi, kudo ku jeton, nga Vermoshi në Konsipol, sepse është e drejta e tyre të jetojnë në mirëqenie dhe është detyra jonë ta garantojmë atë. Përkujdesja jonë do të rritet edhe për ata qytetarë që jetojnë jashtë kufijve, në emigracion apo trojet shqiptare, sepse ata janë pjesë e botës sonë shqiptare dhe përkujdesja ndaj tyre është detyrim madhor dhe kushtetues për të gjithë ne.
Për të realizuar këto reforma, njëkohësisht, duhet të reformojmë veten tonë, duhet t'u përgjigjemi zhvillimeve të shpejta dhe t'i udhëheqim ato, duhet të rrisim efikasitetin tonë në drejtim të përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, të thjeshtëzimit dhe përmirësimit të legjislacionit të vendit tonë dhe në veçanti të forcojmë zbatueshmërinë e ligjeve.
Transparenca dhe gjithëpërfshirja do të jenë vendimtare për suksesin tonë të përbashkët në këtë Kuvend. Gjithkush, pavarësisht bindjeve apo pozicioneve partiake, që dëshiron të kontribuojë për të bërë ligje të mira e të dobishme për vendin, për të konceptuar politika realiste dhe të frytshme, do të jetë i mirëpritur dhe i respektuar. Për këtë qëllim ne do të bashkëpunojmë ngushtë edhe me shoqërinë civile, botën akademike dhe universitare, si edhe me grupet e interesit.
Unë jam i bindur se ekziston dëshira dhe vullneti i përbashkët i maxhorancës dhe opozitës së këtij Kuvendi që të vendosim një standard të ri të sjelljes politike, të komunikimit politik, ku debatohet për idetë, për politikat dhe për ligjet dhe jo për personin.
Të bashkojmë përpjekjet tona maksimalisht për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian përmes integrimit të punës sonë të përbashkët pozitë-opozitë, sepse, besoj se në thelb ne kemi një qëllim të përbashkët: mirëqenien, zhvillimin, sigurinë dhe rritjen e dinjitetit të qytetarëve tanë dhe Shqipërisë.
Ne jemi besimplotë se ashtu si deri më sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian do të vazhdojnë të jenë përkrah nesh duke na mbështetur fuqimisht në arritjen e objektivit tonë madhor, atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ky Kuvend do të kontribuojë për një shoqëri të fortë e të qëndrueshme, që fuqizon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, në një kohë kur faktori shqiptar kudo që ndodhet dhe jeton kontribuon për paqen dhe perspektivën evropiane. Shembulli më i qartë është roli i shtetit më të ri, atij të Kosovës, që forcon çdo ditë pozitën ndërkombëtare dhe me guxim ecën drejt dialogut dhe bashkëpunimit rajonal si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit. Ky është një shekull që punon e do të punojë për të mirën e shqiptarëve.
Ndaj, të nderuar kolegë, dua t'ju siguroj se duke marrë votën tuaj dhe besimin tuaj si Kryetar i Kuvendit, jam këtu, një nga ju, që të siguroj zbatimin rigoroz të Rregullores së Kuvendit, të siguroj të drejtat e çdo deputeti në përgjithësi dhe respektimin e angazhimit konstruktiv të opozitës, frymën e tolerancës dhe të konsensusit.
Sfidat që kemi përpara janë të mëdha dhe të përbashkëta, por unë jam i sigurt se progresi dhe zhvillimi i vendit do të jetë më i shpejtë, më i sigurt dhe më i begatë duke e rritur frymën e bashkëpunimit dhe duke vendosur gjithnjë interesin kombëtar mbi interesat tona të ngushta partiake.
Jam i bindur se do të jemi të suksesshëm vetëm duke mos harruar për asnjë moment se ky nuk është Kuvendi ynë, i 140 deputetëve, por është Kuvendi i popullit shqiptar, i mbarë qytetarëve tanë, të cilët votuan plot dinjitet dhe si qytetarë evropianë më 23 qershor. Le të reflektojmë edhe ne në këtë Kuvend me të njëjtin dinjitet dhe përgjegjshmëri, që ta meritojmë plotësisht besimin e tyre.

Faleminderit!