Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.





Flamuri në telashe për fushatën e AldosNga Antena brenda familjes

Përveç telasheve të fushatës së tij, Flamurit iu desh dje të merrej dhe me telashet e fushatës së Aldos. Ai burri e thirri në telefon duke turfulluar që në mëngjes.


- Ky, mor zotëri, nuk bën për këtë punë, - i tha. - Ka dy javë, s’ka bërë asnjë takim. E kam çuar te zona e Majlinda Bregut në Laprakë, ngatërron zonën, humbet nga Bregu i Lumit. Ky duhet ndihmuar, se na hodhi në erë.


- Të drejtë ke, - i tha Flamuri. - Dhe unë i kam folur, por më thotë: “Kështu e kam stilin e fushatës unë, të qetë dhe pa aktivitete.” Bën fushatë derë më derë.


- Kush ia hap derën atij, mo zotëri, por duhet kthyer në Tiranë, se na iku fushata nga duart.


- Unë kthehem, s’e kam problem, por është ca vonë tani. Dhe dy javë mbeten për fushatë, ç’të bëj më parë ai. Pastaj ne e mbanim fushatën me njerëzit tanë. Ai s’njeh njeri në PD.


- Flamur, lëri këto, por Aldo duhet ndihmuar. Të bëjë të paktën një takim. Shiko Flamur, mitingu i hapjes dështoi dhe ti e di mirë se ç’ndodh, nëse ai gabim përsëritet. Shiko, Aldo nuk ka ide për fushatën. Aldo është për të folur në televizor. Aty është mirë. Publiku paguhet 5 mijë lekë dhe duartroket, sa herë i bën shenjë Fevziu, vetë Fevziu nuk kupton gjë… atje është në rregull. Te njerëzit duhet kujdes.


- Dakord doktor. Na thuaj çfarë tezash të përdorim në Tiranë, se dhe ne jemi duarlidhur?


- Lejet e ndërtimit Flamur. Shiko lejet e ndërtimit të Mihal Delijorgjit, duhen hetuar me çdo kusht.


- I kam parë ato doktor, se s’ta thashë atë ditë që i zure në gojë. I kemi dhënë ne atëherë më 2006. Erdhi te partia me Fahriun ai dhe na dha njëqind mijë euro. I mora, se na duheshin. Nuk mbaj mend ç’bëra me to, po mbaj mend që më duheshin shumë. Dhe Fahriu ishte i kënaqur, se e kishte marrë pjesën e vet. “Katër copë leje ka, - tha, - kalojani pa problem”. Qirjako ishte në krye të KRrT së Tiranës atëherë. I thashë kaloje, se ka paguar te partia. Ia kaloi. Mbaj mend që ai Ed Rama u tërbua që ia kaluam ne. Dhe ky Biçoku u tërbua. Se na thoshte: “Mos ia kaloni pa i marrë lekët.” Po s’kisha si t’i thosha që ia morëm, se tregonte dhe te Rama ai, se punonte me të dy krahët atëherë.


- Flamur, dakord, kjo është një rastësi, por shiko, ai i ka dhënë dhe leje të tjera Delijorgjit, shiko, ia ka dhënë Alban Eftimi.


- E kontrolluam doktor. Alban Eftimi ka dhënë lejen e pallatit ku banon ti dhe lejen ku banon Olldashi. Është i lidhur me atë ndërtuesin, e di vetë ti. Arkitekt i atij është. Të them unë, na ka zënë ngushtë. Ndaj dhe Aldo i shkretë nuk di ç’të thotë në fushatën e Tiranës.


- Shiko, aktivizoni dhe dikë tjetër. Flamur, ai Bojaxhiu ka ide të mira, ai duhet të aktivizohet.


- I kam thënë doktor, po ka frikë se ngatërrohet. Doli një herë tek ai pallati te Liqeni dhe denoncoi Edi Ramën që kishte lejuar të ngrihej pallati në territor të Gardës. Në darkë e kishte marrë Rrahmani, i kishte thënë: “Leje atë pallatin, se kam ndërhy unë me Zenin.” Dhe ishte tronditur. Mua, doktor, s’më tha gjë i shkreti. E pyeta dhe më tha: “Shumë mirë, denoncoje”. Pastaj iu fut frika mos e kishe provokuar ti dhe që atëherë s’del më të denoncojë pa qenë i sigurt.


- Flamur, shiko, ai ka probleme. Ai djalë nuk është mirë. Ai, o zotëri, Fazlliçin që duhet ta mbronte, nuk e mbronte, pallatin që s’duhet ta sulmonte, e sulmonte. Ai nuk është në rregull, ke të drejtë. Po kë të nxjerrim, thua? Ky Bujar Nishani pse nuk flet?


- Po ja, është pak i sëmurë doktor. Pastaj dhe ajo historia e Trebickës nuk është mbyllur akoma.


- Flamur, mos më bëj pesimist tani. Fushata në Tiranë duhet të nisë urgjent. Shiko, unë kam folur për biznesmenët sot, kam thënë, heshtja është miratim. D.m.th., për lejet që nuk kthehen përgjigje, quhen të miratuara.


- Po pse je nxituar doktor? Se duket sikur s’do fitojmë ne dhe duam t’i marrim lejet e ndërtimit Ramës me heshtje. Është që është keq puna, t’i kishe lënë, se s’i dihet, fitojmë dhe të kemi dhe ne ndonjë gjë në dorë.


- Flamur, shiko, atë punë e rregullojmë prapë, por Aldo duhet të zgjohet nga gjumi. Shiko, kjo nuk është fushatë. Kaq di të them unë.