Daniel Xhafaj, golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar, (18 gola me fanellën e Besës) dhe mesfushori i fuqishëm Bledar Devolli u prezantuan zyrtarisht si blerje të Flamurtarit për sezonin e ardhshëm 2010-2011.



Daniel Xhafaj do të përfitojë 70 mijë euro në sezon, ndërsa Bledar Devolli, sipas gazetës prestigjioze sportive “Panorama Sport”, do të përfitojë 60 mijë euro në sezon.



Në fakt, të njëjtën shumë prej 70 mijë eurosh, Xhafaj pritej ta përfitonte edhe te Shkumbini, ku vonjati kishte lidhur një paramarëveshje me presidentin e ri të peqinasve, Ylli Ndroqi, madje sulmuesi vlonjat, një nga më të mirët në tregun shqiptar të futbollit, pohoi për mediat se e kishte bindur projekti i presidentit të ri të klubit peqinas, Ylli Ndroqi.



Nuk dihet ende nëse ish-lojtari 33-vjeçar i Besës do të luajë me kavajasit në Ligën e Europës, pasi klubi verdhezi fitoi Kupën e e Shqipërisë dhe e nis nga turi i dytë eliminator.



Pak ditë më parë, u tha se Xhafaj kishte pasur disa oferta joshëse nga Kina dhe Katari, pista këto që tashmë kanë rënë përfundimisht.



Xhafaj, i cili mbushi 33 vjeç, më 1 maj, ka realizuar 174 gola në Kategorinë Superiore, ndërsa deri tani numëron shtatë skuadra shqiptare: Flamurtari, Bylis, Teuta, Dinamo, Tirana, Besa dhe Shkumbini.



Vlonjati, i cili ka luajtur dhe 4 ndeshje me Kombëtaren shqiptare, ka luajtur edhe në Zvicër me Njushatëll Ksamaks dhe në Finlandë, me BPS.



Gjirokastriti 32-vjeçar Bledar Devolli (2 gola sezonin e kaluar me Tiranën), numëron një numër të madh skuadrash, përfshirë Luftëtarin, Vllazninë, Bylisin, Elbasanin, Skënderbeun, Lushnjën, Teutën, Partizanin, Tiranën e tani dhe me Flamurtarin, skuadra e dhjetë në karrierën e tij.



Te Flamurtari ende nuk ka nënshkruar sulmuesi Migen Memelli, golashënuesi më i mirë i skuadrës vlonjate (15 gola sezonin e kaluar, nga këto 14 me Flamurtarin).



Memelli, fituesi i “Këpucës së artë” i sezonit 2008-2009 (me fanellën e Tiranës) është në kërkim të një aventure jashtë, ndërkohë që mbrojtësi Elton Grami do të provohet në Qipro.



Klubi vlonjat, 1 herë kampion i Shqipërisë (1990-1991) dhe 3 herë fitues Kupës së Shqipërisë (1988, 1985, 2009), konfirmoi për edicionin e ardhshëm Artan Sakajn, Gerhard Prognin dhe Njazi Lenën.



Mesfushori i avancuar i Flamurtarit, Odise Roshi (19 vjeç, 3 gola sezonin e kaluar) nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me klubin e njohur të kryeqytetit francez, Paris Saint Germain.



Roshi, golashënuesi më i mirë i Shqipërisë U-21 në edicionin aktual të kualifikueseve të Kampionatit Europian U-21 (4 ndeshje, 3 gola), u testua në fund të muajit prill të këtij viti.



Klubi i Flamurtarit do të përfitojë 250 mijë euro nga shitja e lojtarit.






Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Shtune, 12 Qershor 2010








Shto dhe ti komentin tend



Emri dhe e-maili