Autori i Lajmit: red.
Kupa e Shqipërisë



Një gol inteligjent “in extremis” i 20-vjeçarit Hair Zeqiri (92 ) vulosi fitoren 2-1 Flamurtarit ndaj Tiranës në finalen e edicionit të 57-të të Kupës së Shqipërisë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dorëzoi kapitenit kroat të vlonjatëve, Branko Paniç, trofeun e kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në vend, njëherësh edhe i treti në historinë 86-vjeçare të Flamurtarit, pas atyre të fituar në vitin 1985 e 1988. Pas tri finaleve të humbura me Tiranën (1983, 1984 e 1996), Flamurtari rikthehet pas 18 viteve me një trofe, duke llogaritur edhe kampionatin e fituar në vitin 1991. Pas 94 minutave lojë në asnjanësin “Niko Dovana”, heronjtë kuqezi kanë të drejtë t u gëzohen 100 mijë eurove tëe vendosura si shpërbim për fitimin e Kupës së Shqipërisë nga presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, por dhe një vendi në Ligën e Europës në sezonin e ardhshëm. Tirana, që për herë të dytë rresht humbet një finale të Kupës së Shqipërisë, ashtu siç bëri edhe një vit më parë në “Ruzhdi Bizhuta” me Vllazninë (0-2), tani i duhet të luftojë fort për titullin kampion në tri javët e fundit të kampionatit, për të mos mbetur ashtu si një sezon më parë pa asnjë trofe. Pas disa përpjekjeve të dështuara me Migen Memellin, Saimir Patushin e Daniel Xhafën, Tirana arriti të gjejë golin në minutën e 42-të. Kapiteni Devi Muka ekzekutoi një goditje të lirë në afërsi të këndit të flamurit, harkimi ishte i lartë në zonë, dhe aty mbrojtësi 29-vjeçar Rezart Dabulla kërceu fuqishëm mbi Çaushajn, duke shënuar me kokë golin për Tiranën. Me fraksionin e parë të mbyllur në avantazh dhe një kualitet më të mirë lojtarësh, trajneri Agustin Kola, besoi se mund ta kishte nën kontroll lojën, kur me fillimin e pjesës së dytë hodhi në fushë mesfushorin Gjergji Muzaka në vend të mbrojtësit Tefik Osmani, për të hedhur më pas në vend të Saimir Patushit, Jetmir Sefën. Në minutën e 65-të, Zeqiri i shpëtoi mbulimit të Dabullës, më pas shmangu edhe ndërhyrjen e Abrahamit, Nallbani doli nga porta, lojtari i Flamurtarit i dhuroi pasin e artë sulmuesit Devis Mema, dhe ky i fundit i lirë para kuadratatit të portës, bëri punën më të lehtë, duke shënuar golin e barazimit 1-1, çka hapi dhe ndeshjen. Kur të gjithë prisnin të luanin shtesat, në minutën e 92-të takimit Hair Zeqiri galopoi fuqishëm drejt zonës bardheblu, duke poshtëruar Nallbanin me topin e kaluar mes këmbëve, e vulosur përfundimisht rezultatin 2-1 e fitimin për herë të tretë të Kupës së Shqipërisë nga ana e Flamurtarit.



TIRANA-FLAMURTARI 1-2



Shënues: Dabulla 42 / Mema 65 , Zeqiri 92

Finalja e Kupës së Shqipërisë. Edicioni i 57-të

Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës,

E mërkurë, 6 maj 2009, ora 16:00



TIRANA: Nallbani; Dabulla, Osmani (46 Muzaka), Pezo, Abraham, Agolli, Devolli, Patushi (78 Sefa), Muka (kap.), Xhafa, Memelli. Trajner: Agustin Kola



FLAMURTARI: Moçka; Begaj, Paniç (kap.), Veliu, Kuqi, Strati (54 Shehaj), Beqiri, Zeqiri, Alvizh (70 Brajkoviç), Çaushaj, Mema. Trajner: Eqerem Memushi



Gjyqtar: Bardhyl Pashaj, Ergin Doda, Denis Rexha. Gjyqtar i katërt: Sokol Rexhaj

Ky lajm është publikuar: 07/05/2009