Falë golit të Daniel Xhafës (2-1, 65’), Flamurtari triumfoi 2-1 kundër Tiranës në ndeshjen hapëse të javës së dytë të Superligës, duke grumbulluar gjashtë pikët e para të mundshme, duke futur në këtë llogari edhe fitoren ndaj kampiones në fuqi, Dinamos (1-0) në javën e parë. Sulmuesi i talentuar Odise Roshi shënoi golin e parë për Flamurtarin e Gugash Maganit në minutën e 20-të, por Sebino Plaku barazoi shifrat (1-1) pas vetëm katër minutash lojës. Golin fitues e shënoi golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar, Daniel Xhafaj (i zëvendësuar mes duartrokitjesh nga Ardit Shehaj). Për Xhafaj ky ishte goli i dytë sezonal pas atij kundër Dinamos, duke dëshmuar se është sërish një kandidaturë e fortë për të bërë “bis” në fitimin e trofeut të “Këpucës së artë”. Flamurtari rimori përkohësisht kryesimin, në pritje të ndeshjeve të Vllaznisë me Kastriotin në Krujë (të shtunën) dhe të Skënderbeut me Teutën në Pogradec (të dielën). Tirana, nga ana e saj, pësoi humbjen e parë në kampionat, dhe nga dy ndeshjet në transfertë grumbulloi vetëm një pikë.



TË TJERAT

Kur u përballën për herë të fundit si pjesë e Kategorisë së Parë, Elbasani dhe Bylisi prodhuan një rezultat të pabesueshëm 8-3 (me shumë gola në minutat e fundit, madje FSHF premtoi edhe hapjen e një hetimi të parealizuar kurrë). Tani dy skuadrat do të përballen midis tyre si pjesë e Kategorisë Superiore. Në ndeshjen e fundit në Ballsh në këtë kompeticion dy skuadrat u ndanë në barazim 1-1, ndërkohë që Elbasani i fitoi të dyja ndeshjet në “Ruzhdi Bizhuta”. Në javën e parë, Bylisi humbi 3-2 me Vllanzinë (në Lezhë), me një gol të minutës së fundit të shënuar nga shkodranët (Jovanoviç, 91’), edhe pse ballshiotët e Ilir Spahiut kryesuan dy herë. Elbasani, nga ana e tij barazoi 1-1 me Tiranën, edhe pse verdheblutë shënuan të parët, në një ndeshje të tensionuar nga tifozët vendas. Bylisi i superpërforcuar synon suksesin trepikësh në premierën në “Adush Muça”. Kastrioti arriti të përballojë Shkumbinin në barazimin 2-2 në “Qemal Stafa” dhe tani skuadra e Ramadan Ndreut synon fitoren me Vllazninë, që nga ana e saj fitoi 3-2 me Bylisin, po në një ndeshje të zhvilluar në fushë asnjanëse (Lezhë). Kalendari i javës së dytë të Superligës ofron të shtunën Dinamo-Besa, Kastrioti-Vllaznia dhe Bylis-Elbasani. Të dielën luhet Skënderbeu-Teuta, ndërsa të hënën zhvillohet Laçi-Shkumbini.





STATISTIKA

Kjo ishte fitorja e 33-të e Flamurtarit në 124 ndeshje historike me Tiranën (69 fitore, 22 barazime).





DETAJE

· Daniel Xhafaj para dy sezonesh ka qenë pjesë e Tiranës.



· Bledar Devolli dhe Julian Ahmataj të Flamurtari sezonin e kaluar luanin me bardheblutë



· Sebino Plaku për pak ditë veshi jozyrtarisht fanellën e Flamurtarit



· Flamurtari fitoi dy duelet e para me dy skuadrat kryeqytetase, Dinamon (1-0) dhe Tiranën (2-1)





KATEGORIA SUPERIORE

JAVA II



Dje

Flamurtari-Tirana 2-1



Sot

Dinamo-Besa 17:00

Kastrioti-Vllaznia 17:00

Bylis-Elbasani 17:00



Nesër

Skënderbeu-Teuta 17:00



Të hënën

Laçi-Shkumbini 17:00





Dinamo-Besa, nuk lejohen hap fals

Të dyja skuadrat e kanë nisur me humbje sezonin. Besa mposhti 3-1 Dinamon në finalen e Superkupës



Kur u përballën në finalen e Superkupës së Shqipërisë, Besa fitoi 3-1 ndaj Dinamos, kampione në fuqi e vendit. Në javën e parë të sezonit të ri, të dyja skuadrat patën thuajse fat të njëjtë: Dinamo humbi 1-0 me Flamurtarin në “Qemal Stafa”, ndërkohë që Besa humbi 2-0 në tavolinë me Skënderbeun, një tjetër skuadër e pasur e kampionatit shqiptar. Ndeshje midis fituesve të tre trofeve të sezonit të kaluar, Dinamo (kampione) dhe Besa (fituese e Kupës dhe Superkupës) është një gur i rëndë prove për trajnerin argjentinas të Dinamos, Luis Manuel Blanko, i mbërthyer tani edhe me akuzën e mospasjes së licencës “UEFA A”. Për Dinamon nuk lejohen më hapa fals. Dhe e njëjta gjë vlen edhe për Besën e Shpëtim Duros, që përveç humbjes në javën e parë, klubi mori edhe një dënim me katër ndeshje pa shikues dhe 1 milionë lekë gjobë.

Vetë trajneri Duro e vlerësoi takimin kundër Dinamos si një ndeshje pa kompromis: “E parashikoj ndeshjen shumë të fortë. Dinamo është një nga skuadrat më të forta të futbollit shqiptar. Mban titullin e kampiones në fuqi. Edhe Dinamo e ka humbur ndeshjen e parë e kërkon të reagojë. Edhe me ne ndodh e njëjta gjë”. Sezonin e kaluar, Dinamo i fitoi të tria ndeshjet me Besën e vendit të dytë, madje në Tiranë fitoi 1-0 dhe 4-3, kjo e fundit ishte sfida përmbyllëse e Kampionatit të 71-të Kombëtar të Futbollit e që u kurorëzua me titullin e 18-të të bluve.



PESË NDESHJET E FUNDIT NË TIRANË

2009-2010 Dinamo-Besa 4-3

2009-2010 Dinamo-Besa 1-0

2008-2009 Dinamo-Besa 4-2

2007-2008 Dinamo-Besa 2-0

2007-2008 Dinamo-Besa 0-0









Fabio Hoxha transferohet të Piacenca



Mesfushori sulmues i talentuar shqiptar, Fabio Hoxha, do të jetë pjesë e Piacencës e Serisë B për sezonin e ri. Golashënuesi më i mirë i të paratërinjve të Interit firmosi një kontratë huazimi me klubin italian, ndërkohë që zikaltërit do të kenë gjysmën e vlerës së kartonit të lojtarit të Kombëtares U-17 shqiptare.





Kombëtarja rikthehet në tempullin e saj



Pas polemikave e mosmarrëveshjeve mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe drejtorisë së stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” është arritur marrëveshja për rikthimin e ndeshjeve të përfaqësueses kuqezi në kryeqytet. Pak ditë më parë një mosmarrëveshje e këtyre dy institucioneve ka bërë të mundur spostimin e ndeshjeve të para eliminatore të Kampionatit Europian Euro 2012 me Luksenburgun dhe Bosnje Hercegovinën, në stadiumin e Shkodrës “Loro Borici”. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe UEFA e federatat e dy përfaqësueseve respeKtive. Bisedimet e vazhdueshme të Federatës Shqiptare të Futbollit me Drejtorinë e Stadiumit, kanë bërë të mundur gjetjen e një gjuhe të përbashkët për rikthimin e përfaqësueses në “Qemal Stafa” për këto dy ndeshje. Më pas, në vazhdimësi të këtyre bisedimeve do të diskutohet edhe për ndryshimin e tapetit të barit të stadiumit kryeqytetas, pasi nuk është në kushtet optimale, gjithsesi, ky do të jetë një hap i dytë, ndoshta nga fundi i vitit. Ndeshja e parë e përfaqësueses shqiptare për eliminatoret e europianit do të jetë ajo e datës 3 shtator në Bukuresht me Rumaninë, ndërsa dy ndeshjet e radhës, ajo me Luksemburgun më 7 shtator dhe me Bosnje-Hercegovinën më 8 tetor do të zhvillohen tashmë zyrtarisht, pas një komunikimi të dytë me federatat e këtyre vendeve dhe me UEFA-n, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.





28 Gusht 2010