SHKRUAN: Jeton Selimi 31-01-2011 11:00

Kryesuesit e superligës kanë marrë maksimumin në ndeshjen kundër Shkumbinit duke fituar 4-2. Reparti i avancuar ka shënuar 4 golat, ku dy i takojnë Odise Roshit, që kanalizoi fitoren për të tijtë. Shënojnë edhe Plaku e Xhafaj



Festival golash në Vlorë, në një ndeshje të bukur dhe me emocione të shumta. 6 gola për të kënaqur publikun dhe një fitore më se e merituar për Flamurtarin, që ka arritur të mos lëshojë terren as në këtë takim duke vijuar galopin drejt titullit të parë pas 20 vjetësh. Ka shënuar reparti ofensiv. Dy gola të talentit Odise Roshi, respektivisht në minutën e 3-të dhe të 28-të të lojës, kanë shtruar rrugën e një suksesi të pastër dhe plotësisht të merituar të kuqezinjve. Në krye të të cilëve është trajneri peqinas, që ka qenë një ikonë e Shkumbinit, por kësaj here nuk ka pasur asnjë “mëshirë“ ndaj së shkuarës së vet. Sepse ia ka vënë sytë titullit kampion, objektivi madhor i Flamurtarit, por edhe i vetmi, pas eliminimit në Kupën e Shqipërisë. Me këtë rezultat, 2-0, janë mbyllur 45 minutat e para të kësaj sfide, të kontrolluar tërësisht nga vendësit, me pak ngacmime dhe rrezikshmëri të miqve të portën e Moçkës. Ky i fundit duket se e ka rifituar tashmë vendin e titullarit në kuadratin kuqezi, ku po shfaq një formë optimale sportive, duke ulur në stol kolegun e vet lushnjar, Spaho. Pjesa e dytë kishte rezervuar edhe katër gola të tjerë: dy për vendësit, me anë të Plakut, në minutën e 52-të (goli i parë me fanellën vlonjate), dhe një tjetër me anë të Daniel Xhafajt, në minutën e 61-të. Sa u takon miqve peqinas, që në pjesën e dytë, duhet pranuar, kanë qenë më kërkues dhe më të karikuar për të bërë diçka në këtë transfertë, kanë realizuar dy herë; Shenaj, në minutën e 59-të dhe Gërbovic, në minutën e 80-të. Me golin e parë të Shenaj, u duk sikur Shkumbini mund të synonte bërjen e mrekullisë dhe marrjes së një pikë, por ka qenë Xhafaj vetëm dy minuta më pas, që vrau edhe shpresën më të fundit të miqve. Sikurse duket, në këtë sfidë ka pasur bollëk golash, gjashtë të tillë, çka dëshmon se është luajtur një futboll i hapur dhe sulmues. Flamurtari ka marrë 3 pikët, të cilat e konsolidojnë në vendin e parë të superligës, me 40 pikë, ndërsa Shkumbini vijon të mbetet në vend-numëro, jo edhe aq larg zonës së ftohtë të rrezikut “mbijetesë“. Kjo fitore bën që vlonjatët të jenë më të qetë në prag të transfertën delikate kundër Laçit, sidomos pasi këta të fundit arritën të bëjnë befasinë e javës, pasi arritën të merrnin tri pikët, në një fushë sikundër ajo e Bylisit. Megjithatë, me 31 golat e shënuar dhe 15 golat e pësuar, skuadra e drejtuar nga Gugash Magani ka statistikat më të mira mes të gjitha skuadrave të superligës, duke pasur sulmin dhe mbrojtjen më të mirë. Nga ana tjetër, goli i shënuar nga Sebino Plaku ka qenë padyshim një nga më të festuarit në Vlorë, sepse kuqezinjtë presin shumë nga sulmuesi kryeqytetas, që së bashku me Daniel Xhafajn, janë shndërruar në një prej dysheve sulmuese më potente të kampionatit.



Superliga – Java 18




Laçi-Kastrioti 2-0


Shënues: Buljan 17’, Dragiçeviç 45’


Skënderbeu-Bylis 2-0


Shënues: Shkëmbi 2’ (pen), Muzaka 19’


Flamurtari-Shkumbini 4-2


Shënues: Roshi 3’, 28’, Plaku 52’, D.Xhafaj 61’ / Shenaj 59’, Gërboviç 80’


Teuta-Vllaznia 0-3


Shënues: Sinani 40’, 79’, 85’


Besa-Elbasani 2-0


Shënues: Mihani 11’, Nora 13’


Sot


Dinamo-Tirana 17:00



Renditja N F B H Gol P


1) Flamurtari 18 13 1 4 31-15 40


2) Skënderbeu 17 11 1 5 28-17 34


3) Vllaznia 18 10 4 4 21-15 34


4) Dinamo 17 8 4 5 27-21 28


5) Laçi 18 8 3 7 22-20 27


6) Tirana 16 7 5 4 25-16 26


7) Teuta 18 6 4 8 19-20 22


8) Shkumbini 18 6 3 9 23-28 21


9) Kastrioti 18 5 5 8 19-27 20


10) Besa 18 4 6 8 15-23 18


11) Bylis 18 4 3 11 20-33 15


12) Elbasani 18 3 3 12 18-33 9