Pauza e kampionatit i ka shërbyer Flamurtarit për të rimarrë veten pasi pritet që me grupin të rikthehen lojtarët e dëmtuar. Trajneri Shpëtim Duro ka marrë lajme të mira nga infermieria por gjithashtu për duelin me Kukësin rikthehen edhe të pezulluarit. Ditmar Bicaj dhe Goran Siljanovski do të jenë të gatshëm pasi ndaj Partizanit vuajtën dënimin disiplinor pas kartonëve të marrë me Kamzën.


Reparti i prapavijës kompletohet ndërkohë që probleme ka shfaqur edhe sulmi për kuqezinjtë. Mungesa e fantazisë është ndjerë shumë dhe për këtë arsye lajmi i rikthimit të Muarem Muarem ndez entuziazmin në Vlorë. 29-vjeçari nga Shkupi është drejt rikuperimit dhe pritet ti bashkohet grupit në fundjavë, në mënyrë që ti japë lojës së kuqezinjve fantazinë e munguar. Gjithashtu me skuadrën është rikthyer edhe afrimi më i bujshëm i janarit Mamadou Tounkara, sulmuesi spanjoll i huazuar nga Lacio i cili ka lënë pas problemet shëndetësore.


22-vjeçari pritet të jetë një armë plus tek vlonjatët për duelin me Kukësin të mërkurën e 28 marsit. Në morinë e lajmeve të mira tek Flamurtari është edhe një i keq, pasi braziliani Juffo duket të ketë përfunduar sezonin pas dëmtimit ndaj Partizanit. Fati i keq dhe ndëshkimi nga gabimet arbitrare kanë ndikuar ecurinë e Flamurtarit në javët e fundit, me trajnerin Shpëtim Duro dhe stafin e tij që shpreson të përmbysë situatën falë rikthimeve të të dëmtuarve.


22 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)