Flamurtari është rikthyer te fitorja, teksa përballë Lushnjës së vendit të fundit, në shtëpi nuk ka falur. Skuadra e drejtuar nda Jeton Beqiri, (Me Shpëtim Duron në javën e fundit të pezullimit), dominoi takimin ndaj lagunarëve dhe e kërkoi fitoren që në fillim të sfidës.


Pjesa e parë përfundoi në barazim 0-0, ndonëse vlonjatët patën disa mundësi të mira shënimi, teksa goditën edhe shtyllën. Rezultati u zhbllokua në minutën e 62-të, kur qendërmbrojtësi lezhjan Ditmar Bicaj shënoi pas një krosimi në zonë.


Flamurtari nuk lëshoi as pas avantazhit dhe vijoi të kërkojë golin e qetësisë, që gjithsesi erdhi vetëm në minutën e parë shtesë, shënuar nga braziliani Danilo Alves.


Me këtë fitore, Flamurtari blindon pozitat në vendin e dytë, me 35 pikë, ndërsa Lushnja mbetet në fund me 10 pikë dhe shpresat për të qëndruar në Superiore tashmë janë thuajse të shuara.


18 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)