Shokohet që në javën e parë kampionati i 71-të i futbollit shqiptar. Tirana e Vllaznia, dy pretendentet kryesore për titullin kampion në këtë sezon të ri, kanë zhgënjyer, duke hedhur një hap fals. Dinamo, Flamurtari e Besa shpalosin petkun e sfidantëve për trofeun më prestigjioz të kampionatit. Java e parë e Kategorisë Superiore numëron një statistikë të pasur: 5 fitore (Dinamo e Flamurtari në transfertë, Besa, Apolonia e Skënderbeu në shtëpi) dhe një barazim; 19 gola të shënuar, 3 penallti të dhëna (shënojnë Kuli e Zeqiri, humbet Shkëmbi) dhe tre kartonë të kuq (Lila, Ndreka e Malo).



Ndërsa humbja e bardhebluve është edhe më e dhimbshmja, pasi vjen në shtëpinë e saj, përballë një kundërshtari të cilit një javë më parë i kishte rrëmbyer Superkupën. Pas një fillimi të mirë për Tiranën, janë miqtë ata që i kanë marrë frenat e lojës në dorë, duke demonstruar një lojë më efikase dhe më të rrezikshme. Nuk kalojnë shumë minuta dhe vjen edhe momenti shokues për bardheblutë, të cilët e shikojnë veten në dizavantazhin e një goli. Në minutën e 11-të, vlonjatët shënojnë një eurogol nga një goditje e lirë me Roberto Alvish, i cili ka shënjestruar pikërisht trekëndëshin e portës së mbrojtur nga Nallbani. Miqtë nuk kënaqen me kaq dhe vazhdojnë të sulmojnë. Në minutën e 18-të Rroshi godet saktë dhe topi përfundon në rrjetë. Tirana, edhe pse e nervozuar nga ky dizavantazh i shpejtë dhe i paparashikuar, reagon. Më në fund arrin të krijojë një aksion të rrezikshëm, i cili e çon te goli. Në minutën e 26-të Abilaliaj shkurton diferencën në 2-1 pas një sulmi të rrjedhshëm të Dinamos: Mohelebi pason për Sefën, që e kalon në zonë tek Abilaliaj, i cili e dërgon atë pas shpatullave të portierit të vlonjatëve. Në minutën e 38-të, Rroshi depërton bukur brenda zonës, por ai është penguar në mënyrë të parregullt. Gjyqtari nuk nguron të drejtojë gishtin te pika e bardhë e 11-metërshit, ndërsa ka nxjerrë kartonin e kuq për Lilën dhe Tirana mbetet me 10 lojtarë. Zeqiri ekzekuton 11-metërshin, duke shënuar edhe golin e tretë. Në pjesën e parë Tirana nuk ishte në lartësinë e duhur. Trajneri Lonçareviç nuk e kishte rreshtuar si duhet skuadrën në mbrojtje, ku u panë vetëm tre lojtarë. Ky fakt u shfrytëzua shumë mirë nga Flamurtari, i cili përfitoi nga hapësirat e lëna nga bardheblutë.



Në pjesën e dytë bardheblutë janë pozicionuar më mirë dhe skuadra është parë më solide, më e organizuar dhe më agresive. Kërkon të ndryshojë rezultatin. Ajo është iniciatore e shumë sulmeve në drejtim të portës kundërshtare edhe pse është në inferioritet numerik pas largimit me karton të kuq të Lilës. Ndërsa dy herë kanë sulmuar vlonjatët në minutat e mbetura dhe në të dyja rastet ka humbur mundësi të arta për të shënuar golin e katërt. Rroshi bën të sfumohet, një aksion shumë i bukur i miqve. Rezultati mund të kishte shkuar në 4-1, nëse talenti fierak i Flamurtarit do të ishte treguar më i saktë. Ndërsa më pas është Nallbani ai që shpëton edhe njëherë portën e bardhebluve. Minutat e fundit flasin për Tiranën, e cila krijon shumë aksione, por nuk ka forcën e duhur për të gjetur golin.



Kategoria Superiore



Java 1



Dje



Skënderbeu-Laçi 4-3



Kuerebo 27‘ e 49‘, Rukavina 60‘, 90‘+4‘, Çipi/ Nimani 24, Kraja 42, Malo 72‘



Gramozi-Shkumbini 0-0



Besa-Vllaznia 2-0



D. Xhafaj 41‘, Fagu 52‘



Apolonia-Teuta 2-0



Hoti 45‘+1‘ e 77‘



Kastrioti-Dinamo 1-3



Abazaj 87‘ / Bakaj 17‘, Muça 68‘, Kuli 80‘ (p)



Tirana-Flamurtari 1-3



26‘ Abilaliaj / Alvish 11‘, Rroshi 18‘, Zeqiri 38‘ (p)





Klasifikimi



Skuadrat N P



Besa 1 3



Apolonia 1 3



Dinamo 1 3



Flamurtari 1 3



Skënderbeu 1 3



Shkumbini 1 1



Gramozi 1 1



Laçi 1 0



Tirana 1 0



Kastrioti 1 0



Vllaznia 1 0



Teuta 1 0