Deputeti i Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, reagon lidhur me zhvillimet e fundit, ku djali i tij Rexhep Rraja, ndodhet i arrestuar, pas denoncimit të bërë ndaj tij për dhunë.


Nëpërmjet një reagimi publik deputeti socialist thotë se, Unë Rrahman Rraja, për shumë vite kryetar i komunës Nikël dhe sot deputet i PS, deklaroj se nuk kam marrë pjesë në asnjë lloj presioni mbi policinë dhe kam kërkuar dhe kërkoj të hetohet vendndodhja ime atë ditë.


Më tej ai kërkon që Prokuroria të hetoj çështjen deri në fund, ndërsa thotë se, Mos prisni nga unë që të bëhem prokurori i tim biri dhe mos keqpërdorni fjalët e mia si baba.


Deputeti Rraja pretendon se familja e tij dhe familja e vajzës kanë marrëdhënie të vjetra miqësore që sipas tij, janë të pandryshuara sot dhe gjithë jetën.


Djali dhe vajza kanë pasur një marrëdhënie disa vjeçare dhe pavarësisht asaj që mendoj unë, e përsëris, kjo çështje i takon drejtësisë, jo politikës, thotë në mbyllje të fjalës së tij deputeti socialist.


Rexhep Rraja akuzohet se ka përndjekur, dhunuar dhe i ka fikur cigaren në trup Xhisiela Malokut, si dhe e ka goditur me qytën e pistoletës.



1 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)