TIRANE Në një kohë kur sot Ministria e Drejtësisë bëri shpalljen për vend vakant të Kryeregjistruesit, vjen reagimi i drejtoreshës së Hipotekave, Blerina Doracaj. Kjo e fundit në një prononcim për BalkanWeb mohoi faktin se është shkarkuar nga kryeministri Edi Rama, ndërsa theksoi se ajo vijon punën normalisht. Doracaj, e cila u emërua dy muaj më parë nga kreu i qeverisë, tha se deri më tani nuk ka asnjë propozim apo urdhër për shkarkimin e saj.


Nuk ka asnjë propozim apo urdhër për shkarkimin tim. Jam në krye të detyrës që më është besuar nga kryeministri, në shërbim të qytetarëve, pohoi  drejtoresha e Hipotekave Blerina Doracaj.


Ndërkohë, pyetjes se si e komentonte faktin që Ministria e Drejtësisë shpalli sot pozicionin e saj si vend vakant, Doracaj u përgjigj se: Unë jam në krye të detyrës dhe do jem aty deri në përmbushje të detyrimeve ligjore dhe në shërbim të qytetarëve.


Duhet të theksojmë faktin se Doracaj ishte pjesë e listës së kandidatëve të PS së Tiranës, e 23-ta në listë. Aktualisht ajo është edhe kryetare e Forumit të Gruas në Partinë Socialiste.


Më poshtë po ju sjellim njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë për shpalljen e vendit vakant të Kryeregjistruesit:http://www.drejtesia.gov.al/al/newsroom/lajme/njoftim-per-shtyp1509623426