Fanset e ish-ministrit, Flora Lino (djathtas) dhe Miranda Muça

Pak para se Sajmir Tahiri ti drejtohej Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku zhvilloi një seancë për çështjen hetimore në ngarkim të tij, kamerat dhe aparatet fotografikë të mediave, u drejtuan tek dy gra. Nuk do të kishte asgjë të pazakontë në fakt, nëse të dyja nuk do të mbanin në bluzat që kishin veshur një portret të ish-ministrit të Brendshëm.


Duke u deklaruar fanse të tij, pasi e kanë shoqëruar edhe herë të tjera në këto momente të vështira, Tahiri i ka takuar në fund të seancës, teksa i ka shpjeguar edhe çfarë ndodhi në gjykatë.


Por kush janë fanset e një prej ish-figurave më të larta të mazhorancës aktuale, i braktisur tashmë nga kolegët, të cilat e ndjekin këmba-këmbës shefin e tyre?


Gazeta Shqip online, ka mësuar nga burime të sigurta se ato quhen Flora Lino dhe Miranda Muça. Burime të gazetës kanë mësuar se të dyja janë të çmendura pas Tahirit. E para jeton midis Italisë dhe Tiranës. Ajo ka qenë e martuar me një italian, i cili nuk jeton më dhe ka trashëguar të gjithë pasurinë. Bën një jetë për tu pasur zili, jeton për qejfin e saj, nuk ka nevojë për asgjë, – shprehet një burim i Shqip-it, i cili nuk kërkon të identifikohet.


Ajo është nga Rrogozhina, jeton në Itali dhe ka blerë një shtëpi në Tiranë. Nuk është se ka ndonjë lidhje me Sajmir Tahirin apo ndonjë favorizim nga ky i fundit në kohën që ka qenë ministër.


Ndërsa gruaja tjetër, është Miranda Muça. Ajo është nga Tirana dhe nga një kërkim i thjeshtë në faqen e saj në Fb, duket se ajo punon në Njësinë Administrative numër 6, që drejtohet nga Partia Socialiste në zonën e Kombinatit. Pikërisht këtu, Tahiri ka qenë deputet dhe dihet që ka një numër të lartë mbështetësish.


Të dyja janë mikesha me njëra-tjetrën në Facebook dhe kanë një pasion të veçantë për Tahirin, pasi kanë publikuar foto të shumta në profilet e tyre me ish-deputetin, ku mbizotëron mbishkrimi Gjigand.


Flora është më e angazhuar me sa duket në Fb, ku e quan Tahirin djalin e saj, ose një Thesar të çmuar. Po ashtu, edhe Miranda, çdo foto të saj, e shoqëron në rrjetin social me portretin e Tahirit.


Ditën e sotme, Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, i cili kundërshtoi zgjatjen e afateve të hetimit për dosjen e tij.


“Kësaj maratone po i vjen fundi. Për mua e prokurorinë nisi numërimi mprasht. Deri më 10 mars kemi kohë të mjaftueshme të mbyllë hetimet dhe për mua që ti shkojmë të vërtetës deri në fund” u shpreh Saimir Tahiri pas vendimit të gjykatës.


Me sa duket Tahiri vijon ti mbajë shpresat tek populli, fansat, simpatizantët apo mbështetësit e tij, pas braktisjes nga deputetët, kolegët apo zyrtarë të Partisë Socialiste. Por a do e shohim sërish në politikë? Ka kohë për të gjitha, – u përgjigj ish-ministri.







Gazeta Shqip