Pesë filmat e shkurtër me temë të njëjtë, por me këndvështrime të ndryshme, do të tregojnë mënyrën e njëjtë të të dëgjuarit, të të menduarit dhe të të vepruarit tek dy tipa njerëzish përtej dhe këtej Adriatikut



Kinemaja pulieze mbërrin në Tiranë, në përpjekje për një bashkëpunim italo-shqiptar. Nuk bëhet fjalë thjesht për një shkëmbim mes kulturave, por për një projekt konkret që do të realizohet në një kohë rekord. Ajo çka vlen për t’u theksuar, është mundësia që i jepet distribucionit të filmave përtej dy vendeve respektive, për t’i dhënë më shumë frymëmarrje tregut kinematografik. Drejtori i sektorit të kinemasë për projektin “Invent Arca”, Mimmo Mongelli shprehet: “Kur menduam të bënim një projekt, thamë që nuk duhet të ishte një shkëmbim të zakonshëm nëpërmjet kulturave, por një mundësi reale. Të njohësh prodhimin e dy vendeve respektive është një eksperiencë e provuar edhe më parë, por kjo nuk është e mjaftueshme për të formuar dhe transformuar një projekt të thjeshtë në një prodhim ku përfshihen një staf i tërë”.

“Fluturimi i shqiponjave… në të shkurtër... dhe në të gjatë”, prezantoi projektin “Invent Arca”, ku përfshihen filmat me metrazh të shkurtër dhe të gjatë, dhe dokumentare. Plot 28 prodhime janë parashikuar të xhirohen së shpejti, nga të cilët 5 janë filma me metrazh të shkurtër, që është edhe sfida e regjisorëve nga dy vendet pjesëmarrëse. Secili prej filmave do të zgjasë nga 10 minuta, në një total prej 50 minutash. Bëhet fjalë për tre regjisorë italianë dhe dy shqiptarë që do të sfidojnë kohën, duke na paraqitur prodhimet e tyre brenda datës 20 qershor. Veçoria e këtyre filmave të shkurtër është në atë të realizimit nga regjisorë italianë që do të punojnë në Shqipëri, duke udhëhequr aktorët shqiptarë të përzgjedhur në dy ditë në Tiranë, ndërsa regjisorët shqiptarë do të xhirojnë në Pulia me aktorë italianë të përzgjedhur në katër ditë nga seleksionimi në Brindisi dhe Trani. Një lojë e rrezikshme është ajo e mosndalimit tek rituali i shkëmbimeve, po për të dhënë fryte të vërteta që do të prezantohen në të dy vendet. Edhe pse me një buxhet të vogël, që arrin shifrën e 30 mijë eurove, për herë të parë projektet kanë bërë një hap përpara drejt bashkëpunimeve dhe shkëmbimeve të vërteta. Një tjetër mbështetës i këtij projekti, Xhevdet Ferri, drejtori i QKK-së, e sheh si një mundësi pas shumë kohësh, që vetëm flitet për të ndërtuar një bashkëpunim të karakterit rajonal, në mënyrë që aspirantët të kenë mundësi të fitojnë edhe nga kulturat, por edhe të prezantohen në treg, për të mos u kyçur në një kulturë lokale. Gjatë tri ditëve do të projektohen 15 filma, ndër të cilët përmendim filmat me metrazh të gjatë “Mrekullia” i Edorado Winspeare, “Dhimbja e kokës” e Alessandro Piva, “Shtëpia e grave” e Mimmo Mongellit, “Toka” i Sergio Rubinit, filmat me metrazh të shkurtër të Michele Bia (“Jugorë pa filtër”), Antonello De Leo (Kavja), Beppe Sbrochi (DuePiGrecosuOmega), dokumentari i Simone Salvemini (Liturgjia e tregut) etj. Kemi të bëjmë me një ndërmarrje në Ballkan të Pulias. Vetëm një javë para, në Kinotekën Nacionale të Maqedonisë janë prezantuar disa filma të gjatë të autorëve puliezë si: “Sangue Vivo” i Edoardo Winspeare, “La casa delle donne” i Alessandro Piva. Paralelisht me të është bërë takimi “Bashkëpunimi ndërmjet Pulias dhe Ballkanit për mbështetjen e zhvillimit të industrisë kinematografike”. Pala shqiptare është përfaqësuar Xhevdet Ferri (QKK), Petrit Beci (TVSH), Ilir Butka (TIFF) dhe regjisori Robert Budina.