Ashtu siç kishte paralajmëruar para pak ditësh gazeta TemA, sot janë finalizuar negociatat mes dy biznesmenëve shqiptarë dhe grupit mediatik, në përbërje të të cilit janë televizioni NEWS 24, Gazeta Shqiptare, Radio Rash dhe portali në internet i lajmeve BalkanWeb, me shitjen e tyre përfundimtare. Me anë të një njoftimi të shkurtër pronarët e rinj të këtyre mediave kanë bërë të ditur se që prej ditës së djeshme këto media janë bërë pronë e shoqërisë shqiptare Focus Group SHPK. Focus Group SHPK është themeluar nga Irfan Hysenbelliu, i cili aktualisht është botues i gazetës Panorama dhe Artan Santo, aksioner në një bankë dhe gjithashtu pronar i një televizioni lokal. Në njoftimin e Focus Group thuhet se pronarët e rinj të NEWS 24, Gazeta Shqiptare, RadioRash dhe portalit në internet të lajmeve BalkanWeb, synojnë që të pasurojnë akoma më shumë vlerat e këtij shërbimi mediatik. Pavarësia dhe paanësia në informimin e publikut do të jenë kriteret kryesore mbi të cilat do të udhëhiqet ky shërbim edhe në të ardhmen.