04-12-2013 / Gazeta 55

Retrospektivë e ngjarjeve dhe aktiviteteve lidhur me problemin ekologjik të vjedhjes së ujërave të lumit Radika nga Qeveria e Maqedonisë përmes ndërmarrjes publike për prodhim të energjisë elektrike “ELEM”

Problemi - Më datë 25 tetor 2013, në Dibër të Madhe është zhvilluar takimi i dytë mes përfaqësuesve të Bankës Botërore, ELEM-it, Ministrisë për Mbrojtje të Ambientit Jetësor dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Financave të Maqedonisë, këtë herë në nivel shumë më serioz se takimi i parë i cili u organizua në pranverë të këtij viti. Në këtë takim (ashtu si edhe në të parin) morën pjesë edhe drejtuesit e qeverisjes lokale në Dibër të Madhe si dhe përfaqësues të shoqatave mjedisore dhe të komunitetit. Duhet të përmendim se në fillim të këtij projekti, Dibra nuk ishte paraparë fare për diskutim si njëra nga palët e interesuara ose si njëra nga palët që preket drejtpërsëdrejti negativisht nga ky investim/projekt. Këta dy takime nuk kanë sjellë ndonjë sihariq të mirë, por ana pozitive e tyre është se përfundimisht përfaqësuesit e Bankës Botërore e kanë pranuar mesazhin e dibranëve si palë jashtëzakonisht e shqetësuar lidhur me rrezikun potencial i cili ka shumë gjasa të bëhet realitet nëse nuk e ngremë zërin e protestës të gjithë bashkërisht. Do të pasojnë me siguri edhe takime të tjera në përbërje më të ngushtë mes përfaqësuesve të Bankës Botërore, ELEM-it dhe përfaqësuesve të Komunës sonë (nga Komuna dhe organizatat joqeveritare), ku do të ketë mundësi për të shprehë edhe më fuqishëm pasojat katastrofale ekologjike që do kenë për Radikën dhe liqenin e Dibrës, “kapja” e ujërave të Radikës në rrëzën e Korabit.
Por çfarë nënkupton ky projekt dhe përse dibranët janë kaq të shqetësuar?/Projekti i ashtuquajtur “Fusha e Lukovës” paraqet projekt për ndërtim e një liqeni akumulues, vendndodhja e të cilit ndodhet lartë në bjeshkët e Korabit dhe Strezimirit në zonën e trekëndëshit kufitar: Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë. Për të mbushur këtë liqen me ujë, përveç rrjedhave natyrore të ujërave të cilat gravitojnë në këtë grykë, Qeveria e Maqedonisë ka hartuar një projekt, sipas të cilit planifikon përmes ndryshimit rrjedhës natyrore të ujit të lumit Radika të dërgojë atë në liqenin e ri në “Fushë të Lukovës”. Kjo do të realizohet duke bërë “kapjen” e ujërave – pesë degëve kryesore të cilat furnizojnë sot lumin Radika dhe duke i dërguar ata përmes kanaleve nëntokësore me gjatësi prej disa dhjetëra kilometrash në akumulimin e ri në fushë të Lukovës. Më tej ujërat nga liqeni në fushë të Lukovës përmes kanalit të rri do të derdhen në liqenin e Mavrovës, për të vazhduar rrjedhën e tyre në lumin Vardar. Pra, përmes këtij projekti thahet krejtësisht lumi Radika i cili sot është arteria kryesore për furnizim me ujë të liqenit të Dibrës, ndërsa nga ana tjetër impakti ekologjik i projektit vazhdon përmes zvogëlimit të sasisë së ujit e cila do të derdhet në Drinin e Zi duke shkaktuar pasoja të paparashikueshme dhe të pandreqshme ekologjike, jo vetëm për ekosistemin në liqenin e Dibrës, vetëm e vetëm për të shtuar sasinë e ujit në Lumin Vardar.
Çfarë duhet të bëjmë?/Në përpjekjet për të mbrojtur Radikën, ekosistemin e saj dhe në mënyrë të veçantë rajonin e Dibrës, së pari duhet të hartojmë një strategji dhe të punojmë të gjithë së bashku. Hapi i parë tanimë është ndërmarrë, koalicioni i sektorit joqeveritar, qytetarëve dhe pushtetit vendor në Dibër është formuar dhe ka filluar me aktivitete. Aktiviteti i parë ishte organizimi i një peticioni kundër devijimit të rrjedhës natyrore të lumit Radika dhe vetëm në tre ditët e para në Dibër (të madhe) janë grumbulluar mbi 3500 nënshkrime. Së dyti, duhet të vazhdohet me aktivitete dhe njohjen e qytetarëve jo vetëm të Dibrës, por edhe më gjerë. Sa më shumë argumente dhe sa më shumë  angazhime vullnetare për ta mbrojtur Radikën, aq më shumë do kemi sukses në synimet tona. Së treti, në këtë përpjekje për të mbrojtur mjedisin dhe Dibrën, duhet që së pari të angazhohen pozitivisht edhe nivelet më të larta partiake të BDI-së, aktualisht në  qeverisje, dhe të bëhet presion në Ministrinë e Mbrojtjes së Ambientit Jetësor dhe ndoshta të ndërhyhet drejtpërsëdrejti të Kryeministri. Mendoj, se njëra nga mundësitë e vetme për të anuluar këtë ide është veprimi dhe presioni politik “te koka e kupolës”. Së katërti, gjatë kësaj fushate mbrojtje, duhet të jemi të kujdesshëm të përdorim fakte dhe argumente, që e mbrojnë çështjen dhe e mbrojnë Radikën. Duhet të largojmë euforinë, por të jemi dinjitoz dhe të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për t’u treguar Bankës Botërore, investitorëve dhe qeverisë, rëndësinë jetike që ka gryka e Radikës, për rëndësinë që ka lumi Radika për Dibrën, për biodiversitetin, për botën e gjallë bimore dhe shtazore të liqenit të Dibrës dhe rreth tij, etj.. Banka Botërore ka disa kritere të cilat duhet të plotësohen nga një shtet për të marrë kredi, siç është rasti me kredinë për ndërtim të liqenit në Lukovë, dhe ato kushte Maqedonia i plotëson lehtë. Por, përveç kushteve financiare, ka edhe kushte tjera, të cilat Banka Botërore i respekton në mënyrë rigoroze.  Banka Botërore asnjëherë nuk i jep kredi një shteti, në rast se ndërtimi, i cili do bëhet përmes ndihmës financiare të Bankës Botërore, ka çfarëdo lloj ndikimi negativ ndaj shoqërisë dhe ekosistemit të saj.  Njëri prej tetë kritereve të Bankës Botërore për t’i dhënë një vendi kredi është  “Ensure Environmental Sustainability”, që shqip do të thotë “Të sigurojë qëndrueshmëri të mjedisit”. Pikërisht, kjo është pika ku ne duhet të përqendrohemi: Ndërtimi i liqenit të Lukovës jo vetëm nuk siguron qëndrueshmëri të ekosistemit, por përkundrazi ai e dëmton atë në mënyrën më të vrazhdë.  Gjithashtu, Radika bart brenda saj bukuri unike, pastërti dhe shumëllojshmëri ngjyrash, vegjetacion bimor dhe shtazor, trofta dhe ngjala të pakrahasueshme dhe shumë e shumë bukuri të tjera. Të gjitha këta, nëse realizohet projekti i liqenit të Lukovës ashtu siç është planifikuar – pra duke kapur ujërat të cilat sot e furnizojnë Radikën – do humbin përfundimisht. Së pesti, ne duhet të bëjmë të qartë se i kuptojmë shumë drejtë nevojën e ndërtimit të hidrocentraleve në këta kohëra kur nevoja për energji elektrike është gjithnjë e më e madhe. Ne e kuptojmë se ky hidrocentral do ndihmojë në zbutjen e kësaj kërkese për energji elektrike. Ne, nuk do ishim kundër tij nëse ky hidrocentral nuk do prekte aspak ujërat e lumit Radikë, por do të ndërtohej në bazë të kapjes vetëm të ujërave të cilat gravitojnë në mënyrë natyrore në fushë të Lukovës. Së gjashti, ne duhet t’i bëjmë me dijë investitorëve dhe financuesve se ndërtimi i këtij liqeni në Lukovë me idenë e ndryshimit të rrjedhës së ujërave të lumit Radika, duke i çuar ata në liqenin e Lukovës, do bëjë një dëm të pandreqshëm ekologjik për Radikën dhe tërë krahinën e Dibrës, do të ngjall revolta dhe pakënaqësi të thella të jo vetëm dibranëve, por edhe më gjerë, ndërsa institucioni i Bankës Botërore do njihet si institucion i cili nxit pakënaqësi përmes investimeve të saj, duke nisur një katastrofë ekologjike. Së fundi, është e nevojshme që me shoqatat joqeveritare të Dibrës në Shqipëri, të ngremë çështjen edhe te Qeveria Shqiptare. Rrjedha natyrore e lumenjve është një e drejtë natyrore që mbrohet nga konventat e Kombeve të Bashkuara, kështu që interesimi i Qeverisë shqiptare në këtë proces është krejt legjitim dhe i pritshëm. Humbja e ujërave të Radikës do të ketë ndikim edhe në lumin e Drinit të Zi dhe për pasojë do ndikojë në uljen e rezervave ujore në kaskadën e Drinit.Rruga për të mbrojtur Radikën është e hapur. Sot janë kushtet të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë ta mbrojmë atë, sepse kështu mbrojmë jetën tonë!
Takimi ndërministror i ministrave të Maqedonisë dhe Shqipërisë/Para disa ditësh u realizua një takim kokë më kokë mes ministrit të Ekonomisë së Maqedonisë, z. Valon Saraqini dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, z.Damian Gjiknuri. Nga deklarata e përbashkët e dy ministrave përvidhet një gabim, në dukje i vogël, por thelbësor. Z.Saraçini deklaroi se projekti “Fusha e Lukovës”, Radikës do i marrë vetëm një sasi shumë të vogël uji respektivisht nga 17 m3 ujë në sekondë asaj do i merren vetëm 2 m3 ujë në sekondë. E ky gabim shumë i vogël mbështillet me premtimin se Maqedonia do ndërtojë një largpërçues dhe prej termocentralit të Manastirit do furnizojë me energji elektrike Shqipërinë, kur ajo të ketë nevojë. A thua do jetë kjo falas, apo thjeshtë një premtim për të mjegulluar problemin me vjedhjen e ujit të lumit Radika. Nga ana tjetër sa i përket gabimit të vogël, i cili u përmend më lartë, duhet të sqarohet se vetë përfaqësuesit e ELEM-it të cilët si institucion publik janë nën kompetencat e z. Saraqini, gjatë takimit në Dibër shpërndanë fletëpalosje në të cilat mes tjerash thuhet se në rastin e kapjes së vetëm njërës nga të pesë degët (atë më të bujshmen me ujë) që sot mbushin Radikën me ujë, asaj do i merren 7.224 m3 ujë në sekondë, që do të thotë në rastin më fatlum (nëse mund ta quajmë ashtu) Radikës i merret gjysma e ujit. Por, definitivisht, tendenca është që të dërgohen të gjitha ujërat në Vardar.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Lajm”




...