08-12-2011 / Gazeta 55

Në Ditën Kombëtare të Rinisë, vëmendja drejtohet tek sjellja e një opozite e cila ka rinovuar udhëheqjen e vet me një grup pinjollësh të Bllokut komunist dhe tani po kremton ndërtimin e një llogoreje politike antievropiane


Sot kremtohet 8 dhjetori, 21 vjetori i fillimit të lëvizjes studentore. Ndërsa është i ligjshëm për këdo ta përkujtojë e gëzojë këtë datë, jo të njëjtën ndjesi i krijon Edi Ramës. Kjo mungesë në këto kremtime, duke u nisur nga zhvillimet më të reja, aktualisht ka një arsye të fortë, atë që Edi Ramës “i dhembin veshët” nga kumbimi ende (dhe jo vetëm) i thirrjeve “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Kur, ndodhemi vetëm një hap larg hyrjes në Europë, Edi Rama ç’nuk po bën për të mos e legjitimuar “Shqipërinë si gjithë Europa”... Saktësisht po bën shumë më shumë, nga çfarë bëri për të frenuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO... Nga ana tjetër, mungesa e tij në këtë kremtim, nuk lidhet aq me dëshirën e tij të hershme (të pa realizuar), për tu bërë pjesë e PD-së (por që “për të gjetur veten”, u katapultua, jo rastësisht te PS-ja), se sa me mungesën e asaj se çfarë ai sot (nuk) përfaqëson. Për atë që Edi Rama përfaqëson (sepse për atë që nuk përfaqëson asgjë, kjo dihet), të paktën për ngjarjet e startuara në 8 dhjetor 1990, “thirrja e gjakut” e detyron që 21 vjet më pas, (si të parët e tij biologjik dhe ideologjik), të jetë në anën e atyre që 8 dhjetori ju provokon inat dhe zemërim. Në kujtim edhe të të parëve të tij “bllokmenëve të vjetër”, si përfaqësuesi më i përzgjedhur “i bllokmenëve të rinj”, Edi Rama është më i dëshiruar për të harruar datën 8 dhjetor. Sigurisht, kjo nuk mund të bëhet me një komandë të tipit “select all-delete”. Sepse memoria njerëzore, është shumë më e ndryshme dhe e komplikuar nga ajo kompjuterike. Ndaj edhe ai ka gjetur një zgjidhje tjetër..., që të ngarkojë memorien e tij me ngjarje dhe njerëz që i kujtojnë të parët e tij, “bllokmenë të vjetër”. Për këtë, jo aq rastësisht, kongresi më i fundit i PS-së, apo edhe Asambleja Kombëtare e kësaj partie, nuk linin asnjë dyshim se ishin fotokopje të forumeve të dikurshme të PPSH-së, ku edhe vetë Edi Rama nuk bën përjashtim si fotokopje e Enver Hoxhës. Nuk është tepri të konsiderohen fotokopje të forumeve të PPSH-së, forumet e PS-së. Kjo, jo aq për mënyrën e organizmit të tyre, ku Edi Rama fliste dhe të tjerët duartrokisnin (ose jo), sipas humorit të kryetarit. Kjo, edhe jo aq për mënyrën e organizmit e votimit për zgjedhjen e emrave të drejtuesve të forumeve të PS-së, ku asnjëri nuk guxoi, të paktën, të kërkonte të shtonte apo hiqte ndonjë emër nga (të paktën), listat e kandidatëve. Fotokopja e forumeve të PPSH-së, nga forumet e PS-së, qëndron dhe bie edhe më shumë në sy, nga “asetet njerëzore” të këtyre forumeve. Nuk mund të marrë askush guximin e të mendojë sot, se Enver Hoxha nuk mund të zgjidhte në forumet drejtuese të PPSH-së, “bllokmenët e vjetër”, Xhelil Gjonin, Hamit Beqajn, Hamit Shamkun, Sulejman Bushatin, Mit’hat Baren, Myslym Pezën, etj..., etj... Këtë bëri edhe Edi Rama, në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PS-së. I pafuqishëm përballë peshës së viteve, ai i sfidoi ato duke rinovuar “Byronë Politike”, nëpërmjet përzgjedhjes, për hir të të parëve të tij biologjik dhe ideologjik, me përfaqësuesit e brezit ët dytë, “bllokmenët e rinj”, Ilir Xhelil Gjoni, Ilir Hamit Beqja, Ledi Hamit Shamku, Ditmir Sulejman Bushati, Besnik Mit’hat Bare, Dashamir Myslym Peza, etj…, etj… Dhe afërmendsh, “i vetërrethuar” nga këta “bllokmenë të rinj”, Edi Rama nuk ka çfarë të kremtojë sot…, ose…, ose…, për ndryshe do t’ju lëndonte plagët, përfaqësuesve të brezit të dytë të “bllokmenëve”. Përndryshe, po të ishte i sinqertë, do të bëhej pjesë e kremtimeve të këtij 8 dhjetori, jo thjesht dhe vetëm me ndonjë deklaratë të mundshme përshëndetëse, por duke u gjendur në këtë ditë të sotme, jo i rrethuar, nga të përzgjedhurit e tij, “bllokmenë të rinj”, që s’janë asgjë më shumë se sa brezi i dytë i “bllokmenëve” të vjetër. Ndaj edhe për atë që ai sot (nuk) përfaqëson, Edi Rama, ka zgjedhur të mos e kremtojë 8 dhjetorin, 21 vjetorin e fillimit të lëvizjes studentore..., sepse në të kundërt do ti duhej të lëshonte kushtrimin “të festojë ditën e përmbysjes së etërve tanë bllokmenë”       

...