Shtëpia e Bardhë do të kërkojë ndihmë nga Kongresi Amerikan për të dërguar një fond fillestar 5.9 miliardë dollarë në ndihmë të viktimave të stuhisë Harvey. Deri më tani janë konfirmuar të paktën 39 persona të vdekur, ndërkohë që autoritetet paralajmërojnë për rreziqet nga ujërat e ndotura. Sakaq, stuhia pritet të shuhet të shtunën në Ohajo.


Shtëpia e Bardhë do të kërkojë financim emergjent nga Kongresi Amerikan për të ndihmuar personat e prekur nga stuhia Harvey.


Presidenti Donald Trump pritet të propozojë një shumë fillestare prej 5.9 miliardë dollarësh, ndërkohë që autoritetet e Teksasit bëjnë me dije se shtetit mund ti nevojiten më shumë se 125 miliardë dollarë.


Vetë Presidenti Trump do të dhurojë 1 milionë dollarë për përpjekjet e lehtësimit të situatës katastrofike të shkaktuar nga Harvey.


Të paktën 39 persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhisë, ndërkohë që në Hjustonin lindor, niveli i ujërave të përmbytura është ende në rritje.


Pas një vizite në Teksas, zv/presidenti Mike Pence deklaroi se 311.000 persona ishin regjistruar për asistencë pas katastrofës, edhe pse nuk është ende e qartë sa shpejt fondet do të mbërrijnë tek viktimat.


Zjarrfikësit në Hjuston po kryejnë kërkime derë në derë për të mbijetuar dhe trupa në një operacion që mund të zgjasë deri në dy javë.


Ndërkohë, Agjensia për Mbrojtjen e Mjedisit ka paralajmëruar banorët se ujërat e përmbytura mund të përmbajnë baktere dhe të tjerë ndotës nga kanalizimet e tejmbushura.


Një impiant kimik në Crosby pranë Hjustonit, shpërtheu në flakë një ditë më parë, teksa priten më shumë zjarre në ditët në vijim.


Stuhia Harvey pritet të shuhet të shtunën në mbrëmje në Ohajo, ndërkohë që reshje të dendura shiu parashikohen në Tenesi dhe Kentaki në dy ditët në vijim.


/Oranews.tv/


 


 


 


 


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter