Aksioni Forca e Ligjit ka vepruar sërish në Fier për të arrestuar personat me rrezikshmëri kriminale. Burimet zyrtare raportojnë se janë bërë kontrolle të befasishme në lokale, akse rrugore dhe ambiente të ndryshme. Gjatë kontrolleve u shoqëruan për verifikim 11 persona kryesisht me precedent penal të dyshuar për “Armëmbajtje pa leje” dhe për “Vjedhje”.


Si rezultat i kontrolleve, në një lokal në Zhupan, u kap me armë zjarri  shtetasi Aleksandër Hoxhaj, 37 vjeç, banues në Zhupan, i cili ishte shpallur në kërkim nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave”.


Sapo ka parë policinë të hyj në lokal, shtetasi Aleksandër Hoxhaj ka hequr armën nga brezi dhe e ka hedhur nga dritarja e lokalit por falë veprimeve të shpejta të policisë u konstatua veprimi i tij dhe u arrestua në flagrancë.


Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi ju gjetën 15 paketime me lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa me peshë 43.5 Kg, 3 dokumente të falsifikuara: pasaportë, kartë identiteti dhe leje drejtimi automjeti në gjuhën Greke me foto të këtij shtetasi; ende të ndryshme të dyshuara që përdoren për kryerjen e vjedhjeve: 2 matrapikë, 2 leva metalike, 1 maskë me ngjyrë të zezë, 1 palë dorashka, 1 tub metalik që shërben për hapjen e dyerve, 1 pincë etj; ende që dyshohen se i ka vjedhur: 3 kompjuterë lap-top dhe 1 kasafortë metalike; 34 fishekë pistolete dhe automatiku.


Kontrollet do vijojnë në gjithë Qarkun e Fierit për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë. Policia e Fierit falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen dhe i fton ata të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të ligjit duke u garantuar ruajtjen e anonimatit si dhe një reagim në kohë të Policisë.


11 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)