Organizimi i ushtrisë shqiptare binte ndesh me Kushtetutën dhe kërkesat e NATO-s

Forcat e Armatosura po i nënshtrohen ndryshimit strukturor, i cili është dekretuar pak kohë më parë nga Presidenti i Republikës, me propozim të ministrit të Mbrojtjes. Struktura e re, e cila ka nisur të zbatohet para pak ditësh, parashikon shkrirjen e Komandës së Forcës së Bashkuar (KFB) nga e cila vareshin edhe Forcat Tokësore, Ajrore dhe Detare. Ky vendim dërgoi me leje të gjatë dispozicioni 92 oficerë në pritje të stabilizimit në detyrat e reja, sipas gradave që kanë. Ata do të emërohen pranë komandave të tri forcave, Tokësore, Ajrore dhe Detare, që tanimë do të jenë të ndara. Ndryshimi strukturor do të sjellë edhe riemërimin në pozicionet që do të mbajnë të gjithë drejtuesit e komandave në reparte apo njësi, si dhe vartësit e tyre, pra të rreth 13.500 ushtarakëve. Struktura aktuale pati 3 vjet jetëgjatësi, nga dhjetori 2006 deri në prill 2010. Ndryshimi i strukturës i bërë në atë kohë u kundërshtua nga ekspertët ushtarakë, pasi jo vetëm se nuk përputhej me atë të vendeve anëtare të NATO-s, por njëkohësisht ishte në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. NATO-ja, e cila na ka tashmë në gjirin e vet, e ka cilësuar si jo të përshtatshme strukturën ala shqiptare të FA-së të miratuar në vitin 2006. Standardizimi i strukturës së Ushtrisë Shqiptare me atë të vendeve të NATO-s është arsyeja e risjelljes së saj në formatin e klasik me tri komanda.


Ndryshimi

Që nga prilli 2010, Forcat e Armatosura në Republikën e Shqipërisë do të kenë tri komanda: atë të Forcave Tokësore, Forcave Detare dhe Forcave Ajrore, që varen nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Ky organizim përputhet plotësisht edhe me parimet dhe kërkesat e NATO-s, strukturë të cilën e kanë të gjitha vendet tradicionale të Aleancës. Në strukturën e re nuk do të jetë më Komanda e Forcës së Bashkuar, në të cilën ishin shkrirë të tri komandat e Forcave të Armatosura. Në sitin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare Komanda e Forcës së Bashkuar është e para në radhë në strukturën e paraqitur. Ajo është cilësuar si komanda kryesore, ndërsa dy të tjerat; Komanda e Mbështetjes Logjistike dhe Komanda e Doktrinave dhe e Stërvitjes, vijnë më pas. Këto dy të fundit nuk shprehin konceptin e FA-së, por të forcave në mbështetje të saj. Ashtu siç shprehet edhe në Kushtetutë, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë përbëhen nga Forcat Tokësore, Detare dhe Ajrore. Pas tre vjetësh u pa se riorganizimi i Forcave të Armatosura në vitin 2006, ishte jashtë kërkesave kushtetuese dhe strukturave që ka NATO. Po ashtu u konstatua se nuk pati rezultate me atë organizim, gjë që u pa edhe të sillte pasoja, siç ishte tragjedia e Gërdecit apo shpërthimet e municioneve në Tepelenë. Strategët ushtarakë evidentuan mangësi edhe në nivelin e drejtimit, komandimit të Forcave të Armatosura, si dhe në përgatitjen stërvitore të trupave.


“Me këtë riorganizim, në raport me misionin dhe sasinë e çdo force do të përcaktohet edhe niveli i komandave dhe gradat e komandantëve dhe vartësve të tyre. Duke pasur parasysh këto, komanda e Forcave Tokësore do të njësohet me komandën e një divizioni me komandat, gjeneral major, me dy yje, ndërsa komandat e Forcave Detare dhe Ajrore do të jenë në nivel brigadash me gradën e gjeneral-brigadës për komandantët e tyre, me një yll. Kjo do të rrisë edhe bashkëpunimin reciprok me komandantët e të tri forcave të të gjitha vendeve të NATO-s, duke shkëmbyer delegacione, eksperienca dhe stërvitje të forcave të veçanta”, shprehen ekspertë të sigurisë kombëtare.


Dikur

Me dekretin e Presidentit të Republikës nr. 5110, datë 13.11.2006 është krijuar Komanda e Forcës së Bashkuar, e cila u paraqit si reformë në Forcat e Armatosura. Kontestimet për këtë veprim ishin të menjëhershme, pasi që të realizohej në praktikë duhej të ndryshohej Kushtetuta. Me këtë riorganizim që iu bë Forcave të Armatosura, bazuar në Kushtetutë, Komandanti i Forcës së Bashkuar duhet të ishte komandant i Forcave të Armatosura. Pra, gjithçka binte ndesh me dokumentin themeltar të shtetit, pasi në kohë paqeje, është Presidenti i Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ai që i drejton ato nëpërmjet Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes. Ky është edhe shkaku që në kohe paqeje ne nuk kemi komandat të Forcave të Armatosura me uniformë ushtarake, por kemi vetëm komandant të secilës forcë tokësore, detare, ajrore. Probleme sillte ky organizim edhe në emërimin dhe shkarkimin e komandantëve të Forcave Tokësore, Detare dhe Ajrore, të cilët duhet t’i propozonte ministri i Mbrojtjes dhe miratonte Presidenti i Republikës.








#