Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar udhëzimin për plotësimin e kuotave të parealizuara, pas përfundimit të fazave të regjistrimeve në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë.

MASH ka bërë të ditur se janë rishpërndarë gjithsej 2. 257 kuota të parealizuara në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë. Sipas këtij dikasteri, të drejtën për të plotësuar formularin A3 e kanë të gjithë kandidatët, të cilët nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t'u regjistruar në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë në vitin akademik 2009 - 2010, nuk janë përfshirë në listat e fituesve dhe nuk janë regjistruar në institucionet publike të arsimit të lartë si dhe fituesit e regjistruar në një program studimi në vitin akademik 2009-2010, por që nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi.

Rreth 30 mijë studentë nisin DJE për herë të parë studimet me kohë të plotë e të pjesshme në të gjitha ciklet e studimeve në rang vendi, ndërkohë që numri i përgjithshëm i studentëve për këtë vit akademik (2009-2010) arrin në mbi 100 mijë. Në vend numërohen 11 universitete publike dhe mbi 20 te tjerë janë private.