Telefonat celularë do të ndalohen me ligj në Francë në shkollat fillore dhe të mesme. Norma do të funksionojë që nga fillimi i vitit të ardhshëm shkollor pas aprovimit, në Asamblenë Kombëtare, për një propozim të paraqitur nga shumica e qeverisë, La Republique en marche. Ekzekutivi ka komentuar: “Ky është një sinjal i nisur për shoqërinë”.


Në favor të tekstit, përveç Lrem-it, votuan qendrat e Lëvizjes Demokratike dhe Bashkimi i Demokratëve të Pavarur, ndërsa të gjitha grupet e tjera parlamentare e denoncuan iniciativën duke e cilësuar atë si një propozim “të padobishëm”, një “mashtrim”, ‘”operacion reklamimi”.


Ligji i ri parashikon ndalimin e telefonave celularë “me përjashtim të përdorimeve pedagogjike” dhe me përjashtim të vendeve ku “rregulloret e brendshme shprehimisht e autorizojnë atë”.


Bfmtv informon se i ashtuquajturi “kodi i arsimit”, i cili mbledh të gjitha ligjet franceze të sektorit, nga ligji i 12 korrikut 2010, ndalon tashmë përdorimin e telefonave mobil “gjatë çdo aktiviteti mësimor dhe në vendet e parashikuara nga rregulloret e brendshme”, por, duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, Ministri i Arsimit Jean-Michel Blanquer mbrojti nevojën për “një bazë ligjore shumë më solide”.


7 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)