Paris - Pas rreth një muaji pritjeje, familja Kaçorri në Rrëshen do të mund të varrosë të bijën.

Autoritetet franceze kanë bërë të mundur identifikimin e trupit të shkrumbuar të Erinda Kaçorrit, e cila u dogj në një maune në përpjekje për të shkuar në Britaninë e Madhe ku e priste i fejuari.

Ajo po udhëtonte nga Franca bashkë me djalin e dajës së të fejuarit, Rexh Myzyraj, i cili humbi jetën. Gjatë ditës së sotme pritet të mbërrijë në vendin tonë trupi i pajetë i të resë për t'u përcjellë për në banesën e fundit.

Familja nuk do të mundet ta shohë për shkak se trupi i saj është i shkrumbuar. Analizat e ADN-së janë bërë nëpërmjet furçës së dhëmbëve që mbante me vete.

Rreth një javë më parë është identifikuar edhe trupi i pajetë i të riut me origjinë nga Hasi i Kukësit. Ata po udhëtonin me një maune në drejtim të Anglisë kur mjeti shpërtheu në flakë, ndoshta nga një cigare e hedhur pa dashje. /Start/