TIRANË - Partia Kristian Demokrate ka mbajtur sot një konferencë për shtyp pas fitores prej saj të një mandati në Kuvend.

"PKD për herë të parë afirmohet si një parti, që arrin të konkurrojë dhe fitojë një mandat. Fitorja bëhet më e qartë, kur arrijmë të marrim mandate në Shkodër dhe t’u japim fund bastioneve të PD në këtë qark. Do ketë shumë deputetë, por i vetmi që përfaqëson qytetarët e Pukës, mbetet Mark Frroku", u tha në çelje të kësaj konference mbi kandidaturën fituese të biznesmenit pukian.

"Është ngjarje historike. Ia dolëm. Por sfida e vërtetë fillon pas 23 qershorit. PDK është një forcë moderne, larg konfliktit, hakmarrjes dhe rivlerëson vlerat e kristianëve për një Shqipëri moderne", u shpreh deputeti dhe biznesmeni Mark Frroku për partinë që drejton, e cila ishte në koalicionin e ASHE. Ai shtoi se "nuk jemi për të filluar nga zero, për të mohuar, por për të filluar me një model të ri".
 
"Një mandat nuk mund të ndryshojë gjendjen, por aty do jetë zëri i gjithë kristianë-demokratëve të Shqipërisë", u shpreh Frroku.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)